Rusi 2018, Salah pozon me një tifoz, shfaq shenja se lëndimi s’është tejkaluar

Sport

salah
Mohamed Salah vazhdon të jetë shqetësimi kryesor për Egjiptin, që i rikthehet një botërori pas 28 vitesh mungesë. Sulmuesi i Liverpoolit mbetet në qendër të vëmendjes për faktin se është lojtari kryesor dhe vjen pas një lëndimi në shpatull që mori në finalen e Champions League-ës kundër Realit të Madrdit në Kiev. Në fakt mediat kanë raportuar shumë lajme në lidhje me shëndetin e 26-vjecarit. Vetë ai ka këmbëngulur se ndihet mirë dhe se po bën të pamundurën për të qenë gati për trajnerin Hector Cuper. Ky i fundit qe shprehur për mediat egjiptiane se nuk parapëlqente shumë një skuadër që varet te një lojtar dhe nëse Salah nuk do jetë mirë fizikisht, ai do të shqyrtonte të gjitha alternativat që ka në dispozicion. Ndërkohë ajo që ka bërë të flitet më tepër është një video e bërë virale në internet. Pak pasi Salah zbret nga autobusi i skuadrës, një tifoz i kërkon atij të pozojë për një foto me të. I shkujdesur për gjendjen e Salahs, ai e prek në shpatull dhe aty është pikasur qartë reagimi i sulmuesit të Liverpoolit, i cili duket se vazhdon të ndjejë dhimbje. Kështu edhe pse nga 26 maji janë bërë më shumë se 15 ditë, mjekët nuk e kanë parashikuar saktë fazën e riaftësimit të plotë të lojtarit të vitit në Angli dhe një prej kandidatëve për Topin e Artë. Sidoqoftë nëse do të mundet të luajë apo jo, kjo mbetet për t’u parë në sfidën hapëse të kampionatit për Egjiptin që luhet kundër Uruguait më 15 qershor.