NBA, Lakers marrin edhe Rondon, Warriors përgjigjen me Cousins

Sport

rondo
Nga data 1 korrik merkato në NBA është zyrtarisht e hapur dhe skuadrat e mëdha po nxitojnë të bëjnë lëvizjet e tyre për përforcimin e skuadrës. Los Angeles Lakers, të cilët kanë bërë edhe goditjen më të madhe këtë verë me afrimin e LeBron James, nuk do të ndalen me kaq. Në pritje të një përgjigjeje nga ana e LaMarcus Aldridge nga San Antonio Spurs, kalifornianët kanë nënshkruar me Rajon Rondo. 32-vjeçari, i cili sezonin e fundit luajti me New Orleans Pelicans, shihet si partneri ideal për LeBron James dhe tek Lakers besojnë se Rondo mund të japë kontributin e tij në rikthimin e tyre në majat e basketbollit amerikan.

marcus
Por kësaj here nuk ka mbetur pa reaguar skuadra kampione në fuqi e Golden State. Warriors kanë firmosur një kontratë 1-vjeçare me DeMarcus Cousins. 27-vjeçari do të përfitojë 5.3 milionë dollarë dhe do të jetë në dispozicion të trajnerit Steve Kerr sapo ai të rikthehet nga dëmtimi i sezonit të kaluar. Edhe Cousins i jep fund bashkëpunimin me New Orleans Pelicans, që tashmë duhet të mendojë se cilët do të zëvendësojnë dy nga yjet kryesorë të skuadrës. Sa i përket skuadrave të tjera, tek Boston për momentin janë në pritje të rikthimit nga dëmtimi i Kyrie Irving. Ndërsa Houston Rockets do të vazhdojë te ketë fokusin e saj tek James Harden, ndërkohë që ende nuk ka lajme që konfirmojnë rinovimin ose jo të Chris Paul.