NBA, Lebron James kalon zyrtarisht te Los Angeles Lakers

Sport

jamesi
Kjo verë nuk ka vetëm Ronaldon si shkundje në botën e sportit. Në anën tjetër të globit, LeBron James zyrtarizoi gjithashtu në lëvizje të bujshme duke kaluar nga Cleveland Cavaliers te Los Angeles Lakers. I ashtuquajturi Mbreti nënshkroi një kontratë katër-vjecare që do ta shpërblejë atë me plot 154 milionë dollarë. Tifozë, analistë dhe ish-basketbollistë të njohur të NBA-it e kanë cilësuar këtë angazhim të Lakersave një hap të madh drejt rikthimit të tyre në nivelet e larta. 33-vjecari përmbylli kontratën e tij me Cavaliers duke humbur shansin për të fituar titullin kampion në sfidën e fundit që kishte me Golden State Warriors.

james nbaa

Sidoqoftë kjo nuk e ka penguar atë që të jetë më i kërkuari. Tre herë kampion me Clevelandin dhe Miami Heat, James i bashkohet Lakersave, të cilët për herë të fundit në fazën “Play-Off” kanë qenë plot 5 vite më parë. Magic Johnson dhe Rob Pelinka e kanë vlerësuar angazhimin e “Mbretit” si nisjen e një epoke të re për skuadrën më të dashur në L.A. “Ky angazhim na shërben për ti kthyer gjërat në rrugën e duhur, do jemi sërish atje ku kemi qenë më parë, në maja” premtuan zyrtarët e lartë. Ardhja e Lebron, e bën ambientin tejet pozitiv dhe joshës për yje të tjera të NBA-it, të cilët deri një muaj më parë nuk e merrnin në konsideratë të kalonin te Lakersat.