NBA, LEBRON JAMES ZHGENJEN NE HUMBJEN E LAKERS

Sport

Një mbrëmje për t’u harruar në Nba për Lejkërs, që u dorëzuan në transfertën e Teksas kundër Hjuston me rezultatin e thellë 128-94. Larg formës së tij LeBron Xhejms me vetëm 18 pikë të shënuara, ndërsa heroi i Rokets ishte Xhalen Grin, që realizoi 28 pikë në suksesin e Rockets. Kampionët në fuqi të Denver i treguan edhe një herë rivalëve se nuk kanë ndërmend të dorëzojnë lehtë titullin, duke mundur Golden Steit me tre pikë diferencë në rezultatin e përgjithshëm 108-105.
Në një ndeshje të ekuilibruar, Nikola Jokiç fitoi edhe sfidën e yjeve me Stefën Kerri. Dy shifra dopjo për basketbollistin serb me 32 pikë dhe 13 topa në tabelë. Nga ana tjetër, kapiteni i Uarriors realizoi 23 pikë, të pamjaftueshme për të evituar disfatën e skuadrës së tij. Me këtë fitore, Nuggets forcojnë pozitat e tyre në krye të Konferencës së Pernëdimit.
Në mbrëmjen e fundit të NBA ka ndryshuar edhe hierarkia në Konferencën e Lindjes, me Boston që i le kryesimin Filadelfias, në një tjetër sfidë direkte.
Siksërs triumfuan për ndeshjen e 6-të radhazi, këtë herë 106-103, në sajë të Zhoel Embid me 27 pikë dhe 10 ribaund. Nuk kishte shënjestrën e duhur ylli I Sëlltiks, Xhejzon Tatum me vetëm 16 pikë. Kështu. Filadelfia ngjitet në krye të renditjes në Lindje, duke lënë poshte Boston dhe Miluokin. Buckst fituan sfidën ndaj Detroit me rezultatin 120-118. Atentokoumpo shënoi 15 pikë dhe kapi 9 topa në tabelë, përpara se të përjashtohej nga parketi duke u ulur të shohë ndeshjen me tifozët. Njeriu që bëri diferencën për Miluokin ishte Damien Lilard si shënuesi më i mirë me 34 pikë të shënuara.