New York Times: Manchester City, drejt pezullimit nga Champions

Sport

Nuk ka kohë për të festuar titullin e Premier League te Manchester City. Sipas të përditshmes, “Neë York Times”, skuadra angleze ka përfunduar përsëri nën hetim nga UEFA për thyerjen e rregullave të “Fair Playit Financiar”. Nëse shpallet fajtore, skuadra e Pep Guardiolës do të pezullohet nga kompeticionet evropiane, duke u përjashtuar kështu nga pjesëmarrja në Champions League. Pezullimi i tyre mund të sillte pranimin e Arsenalit, ose Manchester Junaited mes skuadrave angleze që do të jenë pjesë e Champions në sezonin e ardhshëm.
Hetuesit e UEFA-s duan që Manchester Cityt t’i ndalohet pjesëmarrja në Ligën e Kampionëve për një sezon nëse zbulohet fajësia për thyerjen e rregullave financiare.
Sidoqoftë, vendimi përfundimtar për një gjë të tillë pritet të merret së shpejti nga hetuesi kryesor Yves Laterme, sipas asaj që ka raportuar “BBC”. Ai ka udhëhequr rishikimin e provave rreth disa pagesave në vlerë 60 milionë stërlina, që dolën nga skandali “Football Leaks” vjeshtën e shkuar.
Ish kryeministri i Belgjikës, tashmë shef i panelit hetues të UEFA-s, pritet të bëj një rekomandim. Disa nga kolegët e tij hetues duket se e kanë shprehur hapur qëndrimin e tyre në takimin e fundit për një ndalesë 1-vjeçare, nëse City shpallet fajtor. Vetë UEFA, gjithsesi, nuk ka pranuar të komentojë mbi këto raportime.
Laterme dhe ekipi i tij është marrë me shqyrtimin e provave të ofruara nga një varg dokumentesh të publikuara nga gazeta gjermane ‘Der Spiegel’, gjatë vitit të kaluar.
Këto raporte akuzonin Manchester Cityn se i kishte thyer rregullat e Fair Play-it financiar duke e rritur vlerën e marrëveshjeve multi-milionëshe të sponzorizimit.
Kampionët e Premier Ligës kanë mohuar çdo parregullsi, por sipas Neë York Times tashmë po kërkohet ndëshkim i rëndë për klubin, pasojat e të cilit do t’i vuajë skuadra e drejtuar nga Guardiola.