Niko Kovac kërkon falje për deklaratat e tij për Leroy Sane

Sport

Edhe pse tek Manchester City nuk e trajtuan si një çështje serioze, kanë mjaftuar fjalët e Pep Guardiolas se ishte befasuar nga deklaratat e trajneri të Bayern, Niko Kovac rreth Leroy Sane, që klubi gjerman t’i bëjë një vërejtje teknikut kroat. Kovac u shpreh disa ditë më parë se ishte thuajse i sigurt që Bayern Munich do t’ja dilte të nënshkruante shumë shpejt me Leroy Sane. Tekniku kroat dukej aq besimplotë rreth transferimit të Sane, sa kishte përgatitur në mendjen e tij edhe skemën më të cilën do të luante pas ardhjes së 23-vjeçarit. Këto deklarata nuk u pritën shumë mirë nga trajneri i Manchester City, Pep Guardiola dhe më pas ishte edhe drejtori i përgjithshëm i Bayern, Karl-Heinz Rummenigge, i cili shprehej se nuk i kishin pëlqyer fjalët e Kovac, diçka të cilën ai do ta diskutonte me trajnerin. Dhe duket se kështu ka bërë, pasi Niko Kovac ka kërkuar falje për ato deklarata të tij.

Tekniku kroat kërkoi ndjesë përpara mediave dhe u shpreh se do të tregohej më i kujdesshëm në të ardhmen sa i përket këtyre deklaratave. Kovac zbuloi se e kishte telefonuar Guardiolan për t’i kërkuar falje personalisht, teksa preferoi të mos komentonte më rreth merkatos.  Leroy Sane është një dëshirë e hershme e Bayern Munich. Anësori 23-vjeçar shihet si zëvendësuesi më i mirë i mundshëm i Franck Ribery në krahun e majtë, por tratativat për të mbeten në një fazë të vështirë. Ndonëse Sane nuk ishte ndër preferencat e para të Guardiolas gjatë sezonit të kaluar, Manchester City nuk ka ndërmend të heqë dorë nga lojtari për më pak se 150 milionë euro, shifër që Bayern për momentin nguron ta paguajë.