Paul Pogba jep sinjalet e para të largimit nga Manchester United

Sport

Paul Pogba jep sinjalet e para të largimit nga Manchester United. Nga grumbullimi me përfaqësuesen franceze, mesfushori është pyetur me lidhje me rolin që ka në fushën e lojës, teksa me përgjigjen e tij ka dhënë një mesazh të qartë sa i përket të ardhmes.

“Në kombëtare luaj dhe e di shumë mirë rolin tim që kam këtu, por nuk mund të them të njëjtën gjë për tek Manchester United. Aty nuk e kuptoj se si duhet të luaj. Të jem i sinqertë, në 5 edicionet e fundit nuk jam aspak i kënaqur. Po ashtu edhe këtë sezon do e mbyllim pa asnjë trofe të fituar. Nuk e di nëse do jem me United, apo me një klub tjetër, por unë dua të fitoj tituj”, janë fjalët e 29-vjeçarit.

Pogba është në vitin e fundit të kontratës me Manchester United dhe pas këtyre fjalëve, mundësitë janë shumë të mëdha që kampioni i botës të largohet nga Old Trafford, drejt një tjetër aventure në karrierë, ende të papërcaktuar.

Përgjatë kësaj kohe, mes tij dhe klubit nuk është se ka patur ndonjë qasje konkrete për të diskutuar rinovimin, e kësisoj të dyja palët e kanë kuptuar se fundi i këtij sezoni do të mbyllet me divorc mes tyre.