Platini rrëfehet për komplotin e bërë ndaj tij nga zyrtarët e FIFA-s!

Sport

Michel Platini është larguar prej kohësh nga skena e futbollit, pas skandalit të rëndë për korrupsion dhe tejkalim të kompetencave që shpërthyen në FIFA dhe UEFA. Francezi është rrëfyer së fundmi rreth të gjitha ngjarjeve që e nxorrën atë jashtë skenës së UEFA-s. 63-vjeçari akuzon TAS dhe zyrtarë të FIFA-s, si shkaktarët e pezullimit të tij dhe largimit nga kreu i UEFA-s, çfarë bëri që francezi të mos kandidonte dot për të marrë presidencën e FIFA-s pas përjashtimit të Sepp Blatter. Platini thotë se ndaj tij është bërë një komplot i menduar mirë, nga persona që janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin brenda apo edhe jashtë institucioneve më të rëndësishme të futbollit. Por Platini refuzoi të fliste me emra konkretë, duke u shprehur se do flasë hapur vetëm kur të shohë se është momenti i duhur.

Në intervistën e tij, francezi u pa qartë të fliste me rezerva për kreun aktual të FIFA-s, Gianni Infantino. 63-vjeçari madje shtoi se ky i fundit ishte ndër ata që bindi 50 nga federatat pjesë të FIFA-s të hidhnin poshtë kandidimin e Platini si president i institucionit më të rëndësishëm të futbollit botëror. Francezi foli edhe për çështjen e shumëpërfolur të Katarit, në përzgjedhjen e këtij të fundit si vendi organizator i botërorit në vitin 2022. Platini përsëriti se vendimi i tij për të votuar pro kandidaturës së Katarit. ka qenë totalisht një zgjedhje e tija dhe e padiktuar nga askush tjetër. Kështi ai shpjegoi se takimi i tij me zyrtarë të Katarit kishte ndodhur pasi e kishte marrë vendimin e tij, duke hedhur poshtë akuzat për korrupsion.