Prej 4 sezonesh tek Chelsea, Jorginho qartëson të ardhmen

Sport

Jorginho i jep fund zërave të merkatos dhe blindon vendin e tij tek Chelsea. Kontrata e mesfushorit me Blutë e Londrës përfundon në verën e ardhshme. Megjithatë, 30 vjeçari është treguar mjaft i qartë në fjalët e tij: “Këtu ndihem shumë mirë dhe do të më pëlqente shumë të qëndroja. Nuk mendoj të shkoj askund tjetër. Nuk më pëlqen që jem gjithmonë në qendër të vëmendjes sa herë që vjen merkatoja. Thjesht jam i përqendruar 100% këtu dhe dua të jap më të mirën time vetëm me Chelsean,” janë fjalët e italianit.

Pjesë e Chelsea që prej 2018-tës, Jorginho ka luajtur 188 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar një total prej 26 golash, të kombinuar edhe me 8 asist. Gjatë kësaj kohe, aventura e tij në “Stamford bridge” padyshim që mund të konsiderohet e suksesshme edhe në aspektin e trofeve të fituar. Me klubin londinez, Jorginho ia ka dalë të fitojë një Champions League, një Europa League, Superkupën e Europës dhe Kupën e Botës për Klube.

Duke nisur edhe nga fjalët e vet lojtarit, mundësitë janë të mëdha që së shpejti, drejtuesit e klubit mund t’I ofrojnë mesfushorit një rinovim të kontratës, duke qenë se aktualja ka vetëm një vit të mbetur. Ndërkohë, për momentin, Chelsea ndodhet në Shetetet e Bashkuara, atje ku po zhvillon fazën përgatitore, teksa në program janë parashikuar edhe disa ndeshje miqësore me disa skuadra të ndryshme.