Barcelona dhe Ansu Fati kanë probleme, lojtari mund të largohet

Sport

Bashkëjetesa mes Barcelonës dhe Ansu Fati ka filluar të ketë sërish probleme. Ndonëse ka një kontratë të vlefshme deri në verën e 2027-tës, sulmuesi nuk ndihet komod në “Camp Nou”. 20 vjeçari, e ka humbur vendin e titullarit në skuadër dhe nuk është i lumtur me kohën e aktivizimit nga trajneri Xavi Hernandez.

Për këtë arsye, spanjolli është duke paketuar valixhet, ndonëse dëshira e tij e madhe është të mos largohet, por nisur nga rrethanat, kjo duket një zgjedhje e detyruar e lojtarit. Sipas mediave të huaja, Fati është në kërkim të një tjetër klubi, ku të ketë mundësi të aktivizohet më tepër. Deri më tani, ofertë konkrete në drejtim të tij, ende nuk ka, gjithëses, lojtari është duke e mbajtur vëmendjen të përqendruar në merkato.

Si fillim, është komentuar gjithashtu se për Ansu Fati, një interes ka treguar Atletico Madrid. Megjithatë, Rojiblancos janë tërhequr, pasi Diego Simeone nuk e sheh thelbësor për organikën e tij.

Nga ana tjetër, Barcelona nuk është pro shitjes së menjëhershme të lojtarit, të cilit, dy vite më parë, iu besua numri 10-të, atëherë kur prej andej u largua Lionel Messi. Në kushte si këto, edhe nëse nuk kompletohet një shitje e menjëhershme e lojtarit, Barcelona nuk preferon të heqë përfundimisht dorë. Katalanasit preferojnë më tepër një huazim të lojtarit, të paktën për një sezon, në mënyrë që ai të arrijë një formë të kënaqashme dhe më pas, mund të marrë në konsideratë rikthimin e tij sërish në “Camp Nou”.