Premiershipi skocez, Celtic fiton derbin me Rangersat dhe vihet në ndjekje të Hearts

Sport

clt skoci
Java e katërt e kampionatit skocez pati tërësisht vëmendjen te derbi i Glasgowt Celtic-Rangers. Përballja e 414-të në historinë këtyre dy klubeve legjendare prodhoi pikërisht atë çka pritej, një atmosferë fantastike futbolli. Nga njëra anë Brendan Rodgers dhe rekordi i tij prej 11 përballjesh pa humbje në derbi, dhe nga ana tjetër ishte përballë Steven Gerrard, që vinte pas një serie prej 12 rezultatesh pozitive me Rangersat. Por në Celtic Park u pa shumë pak nga forma e bluve, të cilët në mesjavë patën siguruar edhe pjesëmarrjen në Europa League.

grzdadad

Eros Grezda, i transferuar te skuadra e Gerrard vetëm pak ditë më parë, nuk ishte prezent me grupin, për shkak të disa detajeve të fundit që ai duhet të zgjidhë me dokumentacionin. Në tërësi blutë vuajtën jashtëmase në pjesën e parë, teksa Celticu goditi dy herë shtyllën me Forest dhe Lustig. Pjesa e dytë pa të njëjtën lojë, keltët që kërkuan më së shumti golin dhe Rangersat që mbetën prapa të mbyllur në mbrojtje. Olivier Ntcham vuri në provë portën duke goditur sërish shtyllën, por rreth 5 minuta më vonë, ai do të realizonte golin e vetëm të sfidës duke finalizuar një aksion të Tom Rogicit. Pas këtij goli Rangersat provuan të barazojnë, por sulmet e tyre nuk mundën të konkretizoheshin dhe kështu sfida u mbyll 1-0. Celtic rikthehet në ndjekje të Hearts që vazhdon të mbetet në krye, por tashmë diferenca është vetëm 3 pikë.