Presidenti i Milanit, vjen me premtim për tifozët kuqezi: Dua sukses si Berlusconi

Sport

Presidenti i Milanit, Gerry Cardinale, i ka bërë tifozët e klubit kuqezi të ëndërrojnë. Në një dalje të tij për mediat, numri një i 7 herë kampionëve të Europës, është shprehur se ambicia e tij është të lërë një trashëgimi si ajo e Silvio Berlusconit, i cili e mori Milanin në një moment jo fort të pozitiv dhe e ngjiti në majat më të larta të futbollit.

“Objektivi është që të rikthejmë në nivelet më të larta Milanin që ishte vite më parë, sukseset që arriti me Berlusconin. Pas Real Madrid, ne jemi klubi që kemi fituar më shumë Champions League se çdo klub tjetër. Këtë vit, synimi është të fitojmë titullin kampion, dhe të shkojmë sa më larg të mundemi në Europë.”

Po ashtu, Cardinale synon që të rikthejë në klub edhe një personazh si Zlatan Ibrahimoviç. Suedezi u tërhoq nga futbolli në fund të sezonit të lamë pas, por trashëgimia e tij në ambientin kuqezi është e pashlyeshme.

“Zlatan është një lider dhe më pëlqen së tepërmi. Kemi nevojë për personazhe me karakter të tillë. Ibra do të na shërbente shumë si një këshilltar, por edhe si lider në marrëdhëniet me skuadrës. Gjithçka do të varet prej tij, pasi rolin që ai do të ketë në klub, jemi duke e diskutuar”, ka thënë Cardinale.

Më tej, Shefi Ekzekutiv i RedBird, i ka kushtuar një rëndësi edhe projektit të stadiumit të ri, i cili është planifikuar të jetë një projekt 5 vjeçar, e duke cituar se një impiant modern, do t’i mundësonte klubit më tepër mundësi të ardhurash financiare.