Probleme për Napolin, Victor Osimhen dëmtohet në miqësore

Sport

Victor Osimhen tremb Napolin. Në ndeshjen miqësore ndaj Arabisë Saudite, në minutën e 55-të nigeriani u detyrua të dilte nga fusha e lojës, për shkak të një problemi fizik në gju. Shkalla e dëmtimit mbetet për t’u konfirmuar, por në radhët e Napolit, shpresojnë shumë, që sulmuesi të mos ketë lënduar ligamentin, sepse një gjë e tillë do ta shkëpuste 24 vjeçarin, për një kohë të gjatë nga aktiviteti.

Në kushte si këto, kampionët në fuqi të Italisë, qëndrojnë në pritjeve të testeve mjekësore, për të mësuar më saktë edhe shkallën e dëmtimit të futbollistit në fjalë.

Pas pauzës së kombëtareve, kalendari për klubet do të jetë mjaft i ngjeshur, teksa në 3 ndeshjet e ardhshme, Napoli do të luajë ndaj Veronas, Union Berlin në Champions League dhe Milanit në Serie A.

Mes Osimhen dhe trajnerit Rudi Garcia, nuk kanë munguar problemet përgjatë këtyre javëve të para të sezonit të ri. Megjithatë, pavarësisht të gjithave, lojtari e ka treguar në fushën e lojës, se mbetet një lojtar thelbësor për formacionin bardhekaltër.

Mjafton të përmendim këtu që ai ka shënuar 6 gola në 8 ndeshje të Serie A. Duke marrë parasysh faktin që Napoli e ka nisur mbrojtjen e titullit me këmbën e gabuar dhe Rudi Garcia rrezikon shkarkimin, një mungesë e Osimhen, do ta bënte me dhimbje koke trajnerin francez, i detyruar që tashëm të fitojë me çdo kusht.