Pritej transferimi tek Manchester United, Cody Gakpo kompleton kalimin në radhët e Liverpool

Sport

Teksa të gjithë prisnin një transferim në radhët e Manchester United, Cody Gakpo i ka befasuar të gjithë me lëvizjen e tij. Fantazisti hollandez ka vendosur t’i bashkohet Liverpool. Njoftimin e ka bërë publik klubi i PSV me anë të një postimi në rrjetet sociale.

Mes rreshtave, klubi hollandez ka nënvizuar se 23 vjeçari do udhëtojë drejt Anglisë për të kompletuar kalimin e tij tek Liverpool dhe po ashtu ka theksuar se ky do jetë një transferim që do prekë shifra rekord për 24 herë kampionët e Hollandës.

Sipas informacioneve që raportohen nga mediat në ishull, bëhet fjalë për një operacion që arrin shifrën e 50 mln eurove. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë që PSV të arkëtonte kaq shumë në shitjen e një lojtari.

Në fakt, kjo konsiderohet si një lëvizje befasuese, sepse palët kanë punuar në heshtje dhe gjithçka ka ndodhur në harkun e 3 ditëve, teksa gjatë kësaj kohe komentohej se lojtari në fjalë ishte drejt Manchester United.

Sidoqoftë, Liverpool ia ka dalë me sukses në këtë operacion, duke i shtuar organikës së Jurgen Klopp një tjetër element me kualitet të lartë. Me Diogo Jota dhe Luis Diaz të dëmtuar, klubi nga Merseyside e ka parë të domosdoshme të ndërhynte në merkaton e janarit dhe ka bërë gjithçka të mundur për të transferuar një lojtar mjaft cilësi sikurse është fantazisti Cody Gakpo.

Vetëm 23 vjeç, Gakpo konsiderohet një prej lojtarëve më të talentuar të gjeneratës së tij.