Real Madrid e largoi nga akademia, lojtari është kthyer në qendër të vëmendjes

Sport

Goli i shënuar ndaj Barcelonës në fundjavën që lamë pas, e ka kthyer atë në kryefjalën e skenës së futbollit në Europë. Fjala është për mbrojtësin Miguel Gutierrez, mbrojtësin e majtë të  Gironës, që shumë shpejt, mund të jetë pjesë e një klubi të madh.

Në merkaton e verës së një viti më parë, spanjolli u largua nga academia e Real Madrid, që vendosi të mos e grumbollojë lojtarin në skuadrën e parë, por ta shesë diku tjetër, pikërisht tek Girona, për shifrën e 4 milionë eurove.

Mirëpo, në një situatë të tillë, në kontratën e nënshkruar, madrilenët, kanë bërë të vlefshme një klauzolë riblejeje për vetëm 8 milionë euro. Në kushte si këto, nuk përjashtohet mundësia që në një të ardhme të afërt, ndoshta në verën e 2024-tës, Gutierrez mund të rikthehet sërish në Madrid, në qytetin që është edhe vendlindja e tij.

Los Blancos, prej disa sezonesh nuk po gjejnë qetësi për krahun e majtë të prapavijës, ndërsa të shumtë janë ata që besojnë se Gutierrez do të ishte përforcimi i duhur për 35 herë kampionët e Spanjës.

Më tej, duke u bazuar në atë që shkruajnë mediat e huaja, për mëngjarashin në fjalë, kanë nisur të tregojnë interes edhe klube të tjera jashtë Spanjës. Më konkretisht është Arsenali dhe Bayern Munich, që duan ta bëjnë 22 vjeçarin pjesë të organikës së tyre.

Gutierrez konsiderohet një element me karakteristikat tipike të një futbollisti modern, e në veçanti një mbrojtësi. Miguel ka cilësi mjaft të mira në prapavijë, ndërsa është gjithashtu mjaft i rëndësishëm edhe në aspektin sulmues.

Në një rrethanë si kjo, mbetet për t’u parë se ç’të rejash do të kemi për Gutierrez, teksa për momentin, ai dhe Girona e tij po përjetojnë një moment të jashtëzakonshëm. Në 16 javë të luajtura në La Liga, skuadra modeste katalanase udhëheq e vetme kreun e renditjes, duke lënë pas vetes, ekipe si Real Madrid, Atletico, apo edhe Barcelona.

Deri në këtë rrugëtim fantastic, Guttierrez ka luajtur 15 ndeshje, teksa regjistron një gol dhe një asist.