S’ka fitues mes Romës dhe Fiorentinës

Sport

Ka rezultuar pa fitues ndeshja mes Romës dhe Fiorentinës. Takimi i luajtura në Olimpico, i vlefshëm për javën e 15 të Serie A, është mbyllur në barazim 1-1. Si fillim ishin të zotët e shtëpisë ata që kaluan të parët në avantazh, me golin e Romelu Lukakut në minutën e 5 ta takimit. Belgu e pati shumë të thjeshtë për ta dërguar topin në rrjetë, sepse mori një passim të përkryer nga Paulo Dybala. Në vetëm 11 ndeshje të luajtura këtë edicion futbollistik, ky ishte asistimi i 6-të i argjentinasit në Serie A, aq sa kishte dhënë gjithësej në edicionin që lamë pas, në 25 ndeshje të luajtura.

Hera e fundit kur kampioni i botës ka dhënë më tepër asistime brenda një sezoni në kampionat, ka qenë në 2016/17, me 7 pasime për gol. Duke marrë parasysh që këtë herë, nuk kemi shkuar ende në gjysmë të edicionit aktual, me këto ritme, pritet që Dybala jo vetëm ta kalojë këtë shifër, por edhe të vendosë një rekord të ri.

Megjithatë, ndaj Fiorentinës, mëngjarashi i zëvendësua në minutën e 20, për shkak të një dëmtimi në pulpë. Fantazistit vijojnë të mos i ndahen problemet fizike, teksa duke nisur që nga një edicion më parë, është lënduar plot 4 herë.

Për t’u rikthyer tek sfida e Olimpicos, në pjesën e dytë, Fiorentina do të barazonte në minutën e 66 me anë të Lucas Martinez Quarta, vetëm 120 sekonda pasi Zalevski ishte ndëshkuar me karton të kuq. Në 5 ligat kryesore të Europës, vetëm Alex Grimaldo me 9 dhe Jeremie Frimpong me 6, janë dy mbrojtësit që kanë shënuar më tepër gola sesa Martinez Quarta. Mirëpo, nuk do të mbyllej këtu. Ndonëse gola nuk u shënuan më, kishte vend për të tjerë kartonë të kuq. Në të 87-tën, u ndëshkua Romelu Lukaku, për një ndërhyrje mjaft të rëndë ndaj kundërshtarit. Në 388 ndeshje të luajtura në 5 ligat kryesore të Europës, ky ishte kartoni i parë i kuq për Lukakun.

Më tej, në të 7-tën minutë të shtesës, me karton të kuq të ndëshkohej edhe mbrojtësi i Fiorentinës në stol, Nikola Milenkovic. Pas këtij rezultati, Roma është ngjitur në vendin e 4 të tableës së klasifikimit, në kuotën e 25 pikëve, po aq sa Bologna e vendit të 5-të. Përpara skuadrës verdhekuqe renditet Milani, në kuotën e 29 pikëve. Sa i përket Fiorentinës, skuadra vjollcë klasifikohet në vendin e 7, në kuotën e 24 pikëve, por zona Champions është vetëm një pikë larg.