Real Madrid fiton 4-0 ndaj Barcelonës, mbrëmje historike për Karim Benzema

Sport

Real Madrid rikthehet në finale të Kupës së Spanjës për herë të parë pas 9 vitesh dhe këtë e ka bërë në një mënyrë spektakolare. Pasi u mposhtën 1-0 në aktin e parë gjysmëfinal në “Santiago Bernabeu” ndaj Barcelonës, akti i kthimit në “Camp Nou” ka folur vetëm për të besuarit e Carlo Ançelottit.

Los Blancos fituan me rezultatin e thellë 4-0, të udhëhequr nga një Karim Benzema në super formë. Pasi goli i parë u realizua nga Vinicius në minutën e 46-të të pjesës së parë, pjesa e dytë do të fliste vetëm për djemtë veshur në të bardhë dhe konkretisht për Benzema, për të cilin rezultoi të ishte një mbrëmje historike. Kapiteni i Realit, arriti të shënonte 3 gola, duke nisur fillimisht në minutën e 50-të, 58-të dhe më pas në të 80-tën.

Benzema është lojtari i parë i Real Madrid që shënon një tregolësh në “Camp Nou” ndaj Barcelonës që nga 27 Janari i vitit 1963, atëherë kur diçka të ngjashme e bënte Ferenc Puskas. Gjithashtu, Benzema është bërë një nga 11 lojtarët e vetëm të historisë së futbollit, i cili ka arritur të shënojë 3 gola në “Camp Nou”.

Me këtë fitore të thellë, Reali ka prekur disa shifra, që ndaj Barcelonës nuk i regjistronte prej një kohe të gjatë. Nuk ndodhte që prej Majit të 2008-tës që Reali të shënonte 4 gola ndaj skuadrës katalanase, ndërsa një gjë të tillë në “Camp Nou” nuk e kishte bërë që prej Janarit të 1963-shit, atëherë kur fitonte 5-1 në La Liga.

Me këtë sukses, Real Madrid ka shkuar për të 40-tën herë në finalen e Kupës së Mbretit, nga të cilat ka fituar 19-të, me të fundit në 2014-tën ndaj Barcelonës, atëherë kur në krye të Los Blancos ishte pikërisht Carlo Ançelotti.

Këtë sezon, në finale, Real Madrid do të ketë përballë skuadrën e Osasunës, me ndeshjen që do të zhvillohet në stadiumin “La Cartuja” të Sevillas.