Real Madrid fiton miqësoren e luksit ndaj Manchester United, shkëlqen Jude Bellingham

Sport

Real Madrid fiton miqësoren e luksit ndaj Manchester United. Në SHBA, atje ku të dyja skuadrat po zhvillojnë fazën përgatitore, Los Blancos triumfuan me rezultatin 2-0, duke shënuar nga një gol në secilën pjesë.

Në NRG Stadium, përpara 67801 tifozëe, të dyja ekipet dhuruan spektakël në tapetin e blertë, teksa në anën e spanjollëve, spikatën përforcimet e reja të merkatos së verës.

Si fillim ishte Jude Bellingham, me fantazistin anglez që gjeti golin e tij të parë me fanellën e bardhë, që në minutën e 6-të. Pasi u shërbye mrekullisht nga Antonio Rudiger me një passim të gjatë, me një ekzekutim mjeshtëror, Bellingham arriti ta dërgonte topin në fundin e rrjetës.

Ndërsa një minuta përpara kohës së rregullt të të gjithë ndeshjes, përforcimi tjetër i verës, Joselu, shënoi të dytin për Realin, falë një veprimi akrobatik të sulmuesit spanjoll.

Në fund të takimit, të dy trajnerët, si Carlo Ançelotti, gjithashtu edhe Erik ten Hag u shprehën të kënaqur me performancat e skuadrave të tyre, por padyshim që u shprehën se vend për të përmirësuar, ka ende shumë.

Dy fjalë për takimin e zhvilluar, i ka thënë edhe ai që u zgjodh lojtari më i mirë i takimit, Jude Bellingham. Me mënyrën e përshtatjes në lojën ekipore, britaniku i ka befasuar të gjithë në kampin madrilen, duke nisur nga trajneri Ançelotti, e deri tek përgatitësit atletikë.

“Po e shijoj shumë të luajturit me këtë skuadër. Lojtarët këtu janë të një niveli të jashtëzakonshëm. Duke i njohur aftësitë e mia, kam besim se do të jap diçka më tepër. Përpara na presin mjaft sfida të reja dhe duhet të bëhemi gati për të arritur ritmin e sezonit”, është shprehur 20 vjeçari.