Real Madrid interesohet për lojtarin e Milanit

Sport

Real Madrid interesohet për Theo Hernandez. Në merkaton e kësaj vere, mediat në Spanjë, raportojnë se 35 herë kampionët e La Ligas, synojnë të përforcohen në krahun e majtë të prapavijës.

Trajneri Carlo Ançelotti, po ashtu edhe drejtuesit e klubit, nuk kanë më besim tek Ferland Mendy, ndërsa Eduardo Camavinga nuk është një mbrojtës I mirëfilltë. Për këtë arsye, në Santiago Bernabeu po mendojnë një rikthim në Theo Hernandez në kryeqytet.

Që prej 2019-tës, francezi është pjesë e Milanit, që e siguroi kartonin e lojtarit, pikërisht nga Reali për rreth 25 mln euro. Mirëpo, në harkun kohor të 4 viteve situata ka ndryshuar shumë. Në “San Siro”, performancat e Theos njohin vetëm ngjitje. Për këtë arsye, nëse I referohemi Transfermarkt, vlera e mbrojtësit sot në tregun e merkatos, cilësohet 60 mln euro. Por, duke marrë parasysh që kontrata e tij me Milanin është e vlefshme deri në 2026-tën, atëherë klubi kuqezi nuk do të pranonte të niste negociatat pa të paktën 80 mln euro.

Sakaq, teksa mbi këtë çështje, priten të tjera zhvillime, përveç krahut të majtë, Real Madrid synon të përforcohet edhe në krahun e djathtë të prapavijës, ndërsa për momentin nuk ka ndonjë emër konkret që është I lidhur me 14 herë kampionët e Europës.

Gjithashtu, një zëvendësues I Karim Benzema është një tjetër temë që diskutohet në Santiago Bernabeu. Kapiteni I Los Blancos, tashmë 35 vjeç, ka patjetër nevojë për një zëvendësues, e për këtë arsye, klubi është duke punuar edhe në këtë drejtim.