Real Madrid kualifikohet në gjysmëfinale të Champions League për të 16-tën herë në histori

Sport

Real Madrid kalon me lehtësi Chelsean dhe kualifikohet në gjysmëfinale të UEFA Champions League. Ashtu sikurse në “Santiago Bernabeu”, edhe në “Stamford Bridge”, Los Blancos triumfuan me rezultatin 2-0, me golat që erdhën të dy në pjesën e dytë, me të njëjtin autor, Rodrygo. Braziliani shënoi fillimisht në minutën e 58-të, duke marrë një passim nga bashkëkombasi i tij, Vinicius. Në 21 ndeshjet e fundit në Champions League me Realin, Vinicius është përfshirë në po kaq gola, duke shënuar 10 herë, e po ashtu, duke asistuar 11 herë të tjera. Duke nisur që nga edicioni i kaluar, Vinicius është lojtari i vetëm i kompeticionit që ka regjistruar të paktën 10 gola dhe 10 asiste në Champions League. Më tej, në të 80-tën, Rodrygo shënoi sërish, këtë herë duke marrë një passim nga Federico Valverde, e duke vulosur kësisoj fatin e sfidës në Londrën Perëndimore. Ky është kualifikimi i 16-të i Real Madrid në gjysmëfinale të Champions League, të paktën 4 herë më tepër sesa çdo klub tjetër. Ndeshja e luajtur në tokën angleze, ishte e një rëndësie të veçantë edhe për Karim Benzema. Ndonëse nuk shënoi, me 131 sfida në Champions League, francezi u bë lojtari me më tepër paraqitje në kompeticion i Real Madrid, duke lënë pas Raul Gonzalez me 130 dhe Sergio Ramos me 129-të. Jo vetëm kaq. Kjo ishte ndeshja e 150-të e Benzema në Champions, duke marrë parasysh edhe ato që ka luajtur me Lionin, duke u bërë kësisoj lojtari i 5-të në historinë e kompeticionit me më tepër prezenca në fushë. Përpara tij qëndrojnë vetëm Xavi Hernandez, Lionel Messi, Iker Casillas dhe Cristiano Ronaldo. Pas përfundimit të sfidës, kualifikimit në gjysmëfinale, i është gëzuar tej mase trajneri Carlo Ançelotti, që tashmë synimin e ka drejt një tjetër trofeu, që do të ishte i 5-ti në karrierën e tij. “Jemi të luamtur që do të luajmë edhe një herë tjetër në gjysmëfinale dhe do përpiqemi të mbërrijmë në finale dhe të ëndërrojmë një tjetër triumf në Champions League. Ndaj Chelsea nuk ishte aspak e thjeshtë. Ata ditën të na i vështirësonin gjërat, sidomos në pjesën e parë, porn ë të dytën, ne e administruam situatën mjaft mirë”, ishin ndër të tjera, fjalët e teknikut italian. Ndërsa, trajneri i Chelsea, Frank Lampard, pavarësisht disfatës, ka preferuar ta shohë gotën gjysmë plot, duke thënë se të tijtë, ishin skuadra më e mirë në fushë. Britaniku nuk ka asnjë dyshim se klubi dhe e kalojë këtë situatë të vështirë dhe do rikthehet në rrugën e fitoreve. Lampard është bërë trajneri i parë në historinë 118 vjeçare të Chelsea që ka humbur 4 ndeshjet e para në krye të klubit londinez.