Real Madrid, spekulimet vazhdojnë për një lëvizje Neymar-Ronaldo

Sport

Neymar Ronaldo

Spekulimet kanë trazuar ndjeshëm ambientin e Realit të Madridit. Ndërsa skuadra e Zinedine Zidane po dështon të prodhojë rezultate, në shtypin spanjoll është përfolur gjithmonë e më shumë rreth një interesimi të Los Blancos për brazilianin Neymar. Mungesa e një emri konkret si synim për merkaton dhe nga ana tjetër shpenzimi pothuajse zero krahasuar me rivalët e Barcelonës, ka bërë që gazetarët të kenë një qëndrim edhe më skrupoloz ndaj kampionëve të Evropës. Në fundjavë “El Larguero” dhe “Cadena SER” raportuan se Florentino Perez është i gatshëm të përfshijë në operacionin Neymar edhe kartonin e Cristiano Ronaldos. Edhe pse Al-Khelaifi e ka deklaruar si të pamundur firmën e Neymarit për Los Blancos, një emër si Ronaldo në tavolinë është gjithmonë tundues. Ndërkohë raportime me tjetër kuptim ka pasur nga gazeta AS. Burime të saja kanë bërë me dije se portugezi është i zhgënjyer me Presidentin Florentino Perez kjo pas një premtimi të pambajtur për një rritje page. Ronaldo aktualisht përfiton 21 milionë euro, ndërsa më tej AS spekulon se 32-vjecari 5 herë fitues i Topit të Artë, ka dëshirë të kthehet te Manchester United. E gjitha kjo vjen pas një sezoni dëshpërues në La Liga, atje ku portugezi ka shënuar vetëm 4 gola dhe mbetet nën valën e madhe të kritikave dhe përndjekjes ligjore për evazion fiskal.