Real Madrid vs Bayern Munich, TS1 HD, 21:00

Sport

Carlo Ançelotti, trajneri i Real Madrid:

“Duhet të përpiqemi të jemi në më të mirën tonë. Jemi të emocionuar, sepse kemi mundësinë të kualifikohemi në një tjetër finale të UEFA Champions League. Jemi në formë të mirë, të motivuar dhe me synimin e qartë, për të luajtur një ndeshje të një niveli të lartë. Nuk e di se çfarë mund të ndodhë sonte. Gjithçka mund të ndodhë, por ne jemi gati për një tjetër mbrëmje madhështore. Jemi përgatitur për një natë magjike. Megjithatë, i dimë vështirësitë që mund të hasim në një natë të tillë. Na nevojitet të zhvillojmë një lojë intensive, me ritëm, si në aspektin sulmues, gjithashtu edhe në atë mbrojtës. Në ndeshjen e parë, mund të kishim bërë më mirë në fazën mbrojtëse. Sonte jam optimist, sepse ne jemi Real Madrid. Kemi një skuadër që ka bërë mirë përgjatë gjithë sezonit. Kam gjithashtu besim se tifozët do të na ndihmojnë. Jam i sigurt se ata do të jenë pas nesh.Këto janë mbrëmje të mëdha, të cilat mund të kthehen në burim frymëzimi. Janë mbrëmje që njëkohësisht të japin ndjesi të ndryshme përpara lojës, sikurse është shqetësimi, apo frika. Por, nga ana tjetër, është diçka e bukur, sepse jemi përgatitur për një gjysmëfinale, me synimin për të marrë pjesë në një tjetër finale të Champions League. Kjo është diçka që të motivon shumë. Real Madrid dhe Bayern Munich janë dy klube të ngjashme. Tradita e tyre në Europë është madhështore. Kemi respekt për kundërshtarët tanë, sepse ata ishin më të mirë sesa ne në ndeshjen e parë. Të dyja skuadrat janë mjaft të mira në tranzicion dhe kjo ndodh për shkak të lojtarëve të shpejtë dhe me plot kualitet. Në këtë aspect, po flasim për dy ekipet më të mira në Europë. Megjithatë, nëse gjen ekuilibrin e duhur, atëherë kjo është diçka që mund të menaxhohet.

Filozofia ime e lojës? Ideja ime është të përshtas sa më mirë karakteristikat e lojtarëve që kam në dispozicion. Nuk më pëlqen të kem një skuadër me një identitet të vetëm në fushën e lojës.

Portieri? Sonte do të luajë Lunin. Courtois ka ende nevojë për kohë në mënyrë që të kthehet në formën e tij më të mirë. Ai luajti ndaj Cadiz dhe mund të them se zhvilloi një lojë të përkryer. Megjithatë, i duhet ende kohë për të fituar formën më optimale.”

 

Dani Carvajal, mbrojtësi i Real Madrid:

“Nuk ka nevojë për shumë fjalë, për të kuptuar rëndësinë e një mbrëmjeje të tillë, sidomos kur luajmë në stadiumin tonë. Motivimi ka arritur majat. E dimë se do të luajmë përballë një prej skuadrave më të mira të historisë së kompeticionit, kështu që duhet të jemi gati për të fituar dhe të shkojmë në finalen e Londrës.

Jemi të emocionuar, të motivuar, sepse vijmë nga një vit madhështor. Kemi humbur vetëm dy ndeshje. Kemi shumë passion për një kompeticion si Champions League dhe tashmë jemi vetëm dy ndeshje larg për ta ngritur sërish këtë trofe.

Sa herë që dalim në rrugë, tifozët na urojnë për sezonin madhështor që kemi bërë dhe na motivojnë për të eliminuar Bayernin. Përse jo, ëndërrojmë për titullin e 15 të UEFA Champions League.

Ançelotti? Mendoj se trajneri dhe stafi i tij kanë luajtur një rol të madh në suksesin tonë. Lojtarë të rëndësishëm si Benzema, apo Marcelo nuk janë më me ne, por ia kemi dalë t’i zëvendësojmë me lojtarë të tjerë të mirë. Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se kemi pasur edhe 3 dëmtime të rënda në ekip.

Megjithatë, faktet flasin vetë. Jemi vetëm dy ndeshje larg për të fituar një tjetër trofe të Champions League, ose vetëm një ndeshje larg finales. Kjo do të thotë se në të gjithë këtë situatë, trajneri ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm. Ai e ka mbajtur të gjithë skuadrësn të përqendruar. Gjithësecili ka dhënë kontributin e tij, me pak, apo shumë minuta.”