REAL MADRID VS PSG, deklaratat e ekipeve…

Sport

CARLO ANÇELOTTI, TRAJNERI I REAL MADRID:

“Gjatë ditëve të fundit e kemi përqendruar stërvitjen në aspektin fizik, duke u nisur këtu nga performanca e ndeshjes së kaluar në Paris. Është shumë e vërtetë që në atë takim nuk luajtëm aspak mirë, por sonte jemi të vendosur për të zhvilluar një paraqitje të shkëlqyer. Në atë mbrëmje kemi parë një Paris madhështor, por këtë herë është radha të shohim një Real Madrid po aq madhështor. Po ashtu mendoj se edhe kontributi nga ana e tifozëve do të jetë shumë I rëndësishëm. Sonte, do luajmë ndeshjen që tifozët tanë duan të shohin. Mbappe? Ne kemi një plan për këtë përballje dhe ai nuk ka të bëjë vetëm me Mbappe, pasi aty do të jetë Neymar, Messi, apo edhe lojtarët e tjerë të skuadrës së PSG-së. Duhet të luajmë si një grup I vetëm, përgjatë gjithë 90 minutëshit, si në momentin kur kemi topin, po ashtu edhe pa të. Është e rëndësishme të tregohemi inteligjentë dhe të mos fantazojmë shumë, sepse nuk e kemi të detyruar të shënojmë shumë gola. Thjesht mjafton të fitojmë ndeshjen. Mund të kalojmë në avantazh që në fillim, ose në fund të takimit. Duhet të jemi shpresëplotë dhe të luajmë me intensitet. Eksperienca në Champions? Në të tilla mbrëmje, faktori psikologjik merr një rëndësi të veçantë, po ashtu edhe entuziazmi, së bashku me përkrahjen e tifozëve. Skuadra është mirë dhe të gjithë janë të motivuar”.

LUKA MODRIC, MESFUSHORI I REAL MADRID:

“Sonte kemi nevojë për një atmosferë të zjarrtë në shkallët e stadiumit. Duam që Santiago Bernabeu të jetë pas nesh dhe të na motivojë në momente të vështira. Në mesfushë kemi një mungesë të rëndësishme sikurse është ajo e Casemiros, mirëpo ne kemi lojtarë të tjerë në skuadër të cilët mund të bëjnë mjaft mirë në atë rol, sikurse është Valverde, apo Camavinga. Për ne është shumë e rëndësishme që të zbresim me personalitet në fushën e lojës. Të jemi agresivë dhe të mbushur me energji. Nëse e bëjmë këtë, atëherë kemi një mundësi për t’u kualifikuar në raundin tjetër. Sergio Ramos? Komunikoj thuajse çdo ditë me të dhe më vjen mirë që do të shihemi sërish. Ai është një legjendë e Realit. Nuk dua të ofendoj askënd, por mendoj se ai është mbrojtësi më I mirë I historisë së këtij klubi. Mendoj se Bernabeu duhet t’I kushtojë një pritje të ngrohtë, sepse ai e meriton diçka të tillë”.

MAURICIO POCHETTINO, TRAJNERI I PSG:

“Kemi fituar ndeshjen e parë dhe duhet të shohim përpara. Sigurisht që kemi shumë respekt për Real Madrid, pasi 13 tituj të Champions League nuk janë rastësi. Megjithatë, nuk kemi frikë. E dimë rëndësihmë e këtij takimi dhe atë që duhet të japim në fushën e lojës. Ky është një kompeticion që çdo lojtar, skuadër, ose klub ëndërron ta fitojë. Do përpiqemi të kualifikohemi në çerekfinale dhe për këtë duhet të tregojmë vendosmëri. Nga ana tjetër, më duhet të them se futbolli është një lojë që në brendësi I ka të dyja anët e medaljes. Neve në takon të mendojmë vetëm pozitivisht përpara ndeshjeve të tilla. Nëse nuk fitojmë sonte, e dimë se nuk mund të luajmë dot më në Champions League këtë sezon. Dëmtimi I Mbappe? Jemi shumë të qetë, pasi ai është mirë. Ai po kalon një formë mjaft të pozitive dhe padyshim që është një kandidat për t’u bërë lojtari më I mirë në botë. Për momentin, lojtari më I mirë në botë është Lionel Messi, pasi e ka fituar 7 herë Topin e Artë”.

NEYMAR, SULMUESI I PSG:

“Sonte duhet të bëjmë të njëjtën gjë që bëmë në shtëpi në ndeshjen e kaluar. Kjo është një mbrëmje mjaft e veçantë për mua dhe për Messin, pasi këtu kemi luajtur me Barcelonën në të shkuarën. Këtu kam shënuar gola dhe kam asistuar. Ndodhemi në një stadium me një histori të jashtëzakonshme dhe kjo është një kënaqësi e veçantë. Po ashtu, është e njëjta gjë edhe për Sergio Ramos, I cili po sfidon Realin në Champions League. Mendoj se në këtë mbrëmje nuk ka favoritë. Mundësitë janë të barabarta për të dyja skuadrat. Me vete kemi avantazhin e takimit të kaluar, mirëpo këtu duhet të luajmë më mirë sesa në Paris. Synimi jonë është I qartë. Duam të fitojmë titullin e Champions League. Nëse luajmë të bashkuar, atëherë mund t’I shkojmë deri në fund këtij kompeticioni”