Rooney këshillon Jadon Sanchon të qëndrojë tek…

Sport

Jadon Sancho është nga ata lojtarë që do të ketë gjithmonë vëmendjen e skuadrave të mëdha, pavarësisht se Dortmund vijon të këmbëngulë se nuk do e lejojë lojtarin të largohet pavarësisht ofertave të mëdha. Manchester United është nga ato klube që ka shfaqur me herët interesimin për talentin anglez, i cili thoshte se ndihej mjaft i lumtur kur lexonte se ‘djajtë e kuq’ interesoheshin për të. Talenti 19-vjeçar është ndër të paktën lojtarë të moshës së tij që ruan vazhdimësinë në performancat e tij, prandaj jo më kot është vlerësuar në disa raste si talenti më premtues në Europë. Sa i përket Manchester United, pikërisht një legjendë e ‘djajve të kuq’ e këshillon Sanchon të mos transferohet aty. Wayne Rooney u shpreh së fundmi se nuk është momenti i duhur që Jadon të transferohet në ‘Old Trafford’, kjo pasi tek ish-klubi i tij po kalojnë një periudhë aspak të mirë dhe presioni mbi lojtarin e ri do të ishte shumë i madh.

Nga ana tjetër, tek Dortmund ai mund të luajë lirisht në stilin e tij dhe madje ka arritur të fitojë eksperiencë në një futboll krejt ndryshe nga ai që Sancho kishte mësuar në Angli. Sipas Rooney, 19-vjeçari duhet të vijojë të ndërtojë karrierën e tij në Gjermani dhe transferimi i tij tek një skuadër tjetër të ndodhë në momentin e duhur dhe në kushtet e duhura. Jadon Sancho ka zhvilluar 99 ndeshje në rang klubesh në karrierën e tij, ku ka shënuar 38 gola dhe 34 asiste. Sipas ‘Transfermarkt’, vlera e kartonit të tij tejkalon shifrën e 100 milionë eurove, por tek Dortmund nuk heqin dorë nga 19-vjeçari pa një ofertë fillestare prej 165 milionë eurosh.