Rusi 2018, lëndimi i Xhakës jo serioz, nuk i vë në diskutim botërorin

Sport

grant
Granit Xhaka do të mungojë me miqësoren me Spanjën, por lajmi i mirë për Zvicrën është se mesfushori i Arsenalit nuk ka pësuar lëndim serioz në gjurin e tij. 25-vjecari u lëndua pas një përplasje me Valon Behramin gjatë një seance stërvitore me grupin e Vladimir Petkovicit. Shtypi zviceran raportoi se Xhaka u detyrua të dërgohej në spital, por Federata e Futbollit saktësoi se Graniti i qe drejtuar spitalit vetëm për t’iu nënshtruar një skaneri. Rezultatet e këtij ekzaminimi e kanë qetësuar si ambientin, po ashtu edhe vetë 25-vjecarin, i cili është shprehur i lehtësuar për faktin se ky lëndim nuk do t’i rrezikojë atij pjesëmarrjen në botërorin Rusi-2018-të. Zvicra ndodhet në Grupin E së bashku me Brazilin, Serbinë dhe Kosta Rikën.

njishi

Xhaka konsiderohet nga Petkovic si një nga lojtarët kryesor, ndërkohë mjeku i përfaqësueses, Pierre Etienne Fournier, u citua nga shtypi anglez të thoshte se ligamentet nuk ishin lënduar, por që për të qenë në pararojë 25-vjecari është vendosur që të mos luajë në miqësoren e të dielës me Spanjën. “Jam tejet i lehtësuar, kjo pas spekulimeve të shumta që folën për mua duke trazuar edhe familjarët e mi” ishin fjalët e Xhakës pas rezultateve të skanerit. 25-vjecari ka luajtur deri më tani më tepër se 60 ndeshje me helvetët duke realizuar edhe 9 gola. Në Rusi prej tij pritet diçka më shumë se botërorin apo evropianin kaluar, kjo pasi ai vlerësohet të ketë më tepër përvojë tani që luan për Arsenalin.