SHBA, lojtari i futbollit amerikan Mike James kërkon leje për të marrë kanabis

Sport

nfl
Të marrë kanabis apo ta mbyllë përfundimisht me sportin, kjo është dilema e 27-vjeçarit Mike James i cili ka ndezur një debat të vërtetë në Shtetet e Bashkuara. James, i cili luan futboll amerikan, është aktualisht pa ekip dhe i ka paraqitur Federatës një kërkesë për të përdorur si qetësues preparate mjekësore me bazë kanabis. Pesë vite më parë ai theu kyçin e këmbës dhe pas operacionit kishte si efekt anësor dhimbje kronike. Në janar u lëndua sërish dhe tanimë është pa-ekip pasi e ka të vështirë të luajë pa qetësuesë. Kërkesa e bërë së fundmi në Federatë është e para e këtij lloji dhe nuk është aprovuar. Vite më parë, një studim i Universitetit të Washingtonit vërtetoi se 52% e lojtarëve të futbollit amerikanë përdornin qetësuesë gjatë gjithë karrierës dhe se më tepër se 70% e tyre abuzonin me to.

mike nfl

James shpreson që duke përdorur preparate me bazë kanabisi të mund të mos ketë varësi dhe të mund të jetë i aftë të luajë pa shqetësime, në të kundërtën, nëse kërkesat e tij nuk aprovohen atëherë do ta mbyllë me sportin. Por edhe pse jo në mënyrë mjekësore, kanabisi duket se ka kohë që ndodhet i pranishëm në sport. Ish-kampioni i NBA-it Matt Barnes pranoi të enjten se përpara ndeshjeve konsumonte marijuanë. Ai madje këmbëngul se përdorimi i kanabisit në botën e basketbollit është shumë i përhapur. Ndërkohë në rastin e James gjërat janë ndryshe, pasi nëse një kërkesë e tija aprovohet atëherë kjo mund të nxisë një epokë të re në sport.