Rusi 2018, shpërndarja e skuadrave në 11 qytete, distanca problem për ndeshjet

Sport

xczxv

Nga Shën-Petersburgu në Sochi dhe nga Kaliningradi në Ekaterinburg kjo është shpërndarja mes 11 qyteteve pritëse të botërorit Rus. Në mes një distancë e largët nga deri në 3100 kilometra veri-jug dhe lindje-perëndim. Në dispozicion janë 12 stadiume dhe organizatorët e botërorit i kanë miksuar ndeshjet duke bërë që skuadrat të lëvizin nga qyteti në qytet. Por pavarësisht kalendarit, nga 32 skuadra, 9 janë vendosur në rrethinat e Moskës, 5 në Shën Pjetërsburg ndërsa spikat fakti se asnjë nuk ka zgjedhur të vendoset në qytetin më lindor, në Ekaterinburg. Gjermania kampione në fuqi, është vendosur në fshatin Vatutinki, 40 kilometra larg Moskës. Low shpreson të arrijë finalen, duke synuar të luajë tre ndeshje në kryeqytet. Brazili favorit është vendosur në skajin më jugor, në Sochi, atje ku temperaturat janë më të ngrohta. Megjithatë ata kanë kryer një fazë parapërgatitore në Londër. Anglia, është vendosur në një zonë rurale në Shën Pjetërsburg. Trajneri Southgate ka dhënë garanci se lëvizjet nuk do të jenë problem, pasi sipas tij, pjesa më e madhe e lojtarëve janë mësuar me kompeticione si ato të Champions League-ës, ku udhëtohet vazhdimisht. Ndërkohë Australia është vendosur në Kazan, ndërsa Egjipti në Grozny, kryeqytetin e Çeçenisë. Nga zgjedhjet e bëra, bie në sy Serbia që ka zgjedhur skajin më perëndimor, qytetin baltik të Kaliningradit. Ballkanasit për të luajtur kundër Costa Ricas në Samara do të duhet të udhëtojnë plot 1930 kilometra nga kampi i tyre.