Sadiku gjen skuadër, huazohet me formulë si të Icardi

Sport

Merr fund “telenovela” Armando Sadiku, i cili është larguar nga skuadra elitare spanjolle Levante. Megjithatë sulmuesi i Shqipërisë do të vazhdojë të mbetet në Spanjë, por te Malaga, duke iu bashkuar kështu skuadrës së Keid Bares. Situata e sulmuesit mori zgjidhje në sekondat e fundit të merkatos. Ishte gati mesnata e së hënës, kur klubi spanjoll nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare në “Tëitter”, zyrtarizoi transferimin e futbollistit shqiptar, i cili edhe vetë konfirmoi gjithcka përmes postimeve në rrjetet sociale.


Sadiku është transferuar te klubi i ri si i huazuar nga Levante, trajneri i të cilës nuk e kishte në plane. Kurioze është mënyra përmes të cilës Levante transferoi Sadikun. Bëhet fjalë për një mënyrë të ngjashme me atë të kalimit të Icardit nga Interi te PSG. Së pari, elbasnasi zgjati kontratën edhe për një vit deri në 2021-shin, ndërsa më pas u huazua te klubi i Segunda Division me të drejtë blerjeje në fund të sezonit për 1 milionë euro. Kështu, Levante ka shmangur largimin e Sadikut me parametër zero. Sulmuesi fillimisht do të regjistrohet me Malaguenën, skuadrën e dytë ku edhe do të kryejë testet mjekësore dhe më pas do të kalojë me skuadrën e parë të Malagës. Me afrimin e Sadikut, Malaga do të synojë këtë sezon rikthimin në elitën e futbollit spanjoll. Aty ku Sadiku do të ketë shok skuadre një tjetër kuqezi pikërisht Keidi Baren. Te formacioni andaluzian, 28 vjecari shqiptar do të ketë mundësi të ringrihet dhe të luajë në vazhdimësi në mënyrë që të rifitojë edhe kombëtaren pasi për ndeshjet e shtatorit ndaj Francës dhe Islandës nuk është grumbulluar por është në listjen e pritjes