Scholes kritikon Pogbanë, mos bëj si Messi

Sport

222212ed

“Paul Pogba duhet të ndalë së bëri Messin dhe thjeshtë të luajë në stilin e tij” – me këto kritika flet një legjendë e Manchester United-it sikurse Paul Scholes. 41-vjeçari ka bërë një analizë të thellë pas humbjes që “Djajtë e Kuq” morën në përballjen me Feyenoordin në Europa League, duke u marrë më së shumti me mesfushorin francez. 23-vjeçari nuk po e kalon lehtë rikthimin në Manchester, dhe në 4 ndeshjet e para ka dështuar të bëjë diferencën. “Paul po mundohet, ai shihet të vrapojë në gjithë fushën, por mendoj se ka filluar ta mbajë shumë topin” – tha Scholes gjatë një komenti televiziv për BT-Sport. “E shoh tek përpiqet të kalojë tre apo katër lojtarë. Për mua ai duhet të luajë më thjeshtë, s’është ky lojtari të cilin United deshti. Ata s’blenë një Messi që të driblojë 5 lojtarë njëherësh, por një mesfushorë të fortë, i aftë për t’i dhënë qarkullim mesfushës” – tha 41-vjecari, i cili në karrierën e tij luajti më shumë 700 ndeshje me “Djajtë e Kuq”. Sipas Scholes, Pogba nuk ka nevojë për tjetërsime të mënyrës së tij të lojës dhe nga ana tjetër sipas legjendës së United-it, atij në mesfushë i nevojitet përkrah një lojtar që ka më shumë kontakt me topin. Këtu Scholes i këshilloi Mourinhos që të provonte ta aktivizonte francezin përkrah veteranit Michael Carrick, krejt ndryshe nga cka bërë deri më tani me Herreran, Fellainin apo Schneiderlin.