Serie A, Inter, Bastoni nuk mendon largimin; thotë se ka edhe 2 vite kontratë

Sport

Alessandro Bastoni përflitet të jetë një nga të sakrifikuarit e mëdhenj të merkatos së verës për Interin, me drejtuesit zikaltër që janë të detyruar të shesin përpara se të fillojnë me ofensivat e tyre. Duke qenë se duhet të deklarojnë një shifër prej 60 milionë eurosh të ardhura plus në merkato, Bastoni duket të jetë zgjidhja më e mirë për bilancet e klubit. Mirëpo, pavarësisht spekulimeve se për shërbimet e tij interesohen skuadra si Tottenham, Barcelona apo Liverpool, Bastoni duket se preferon të qëndrojë në radhët e skuadrës milaneze. 23-vjeçari ka qenë një nga elementët më të rëndësishëm të trajnerit Inzaghi në sezonin që lamë pas dhe mbrojtësi është i bindur se mund të marrë një rol prej lideri në të ardhmen. Bastoni është shprehur se nuk e ka menduar largimin nga Interi pasi është shumë i lumtur me aventurën e tij në Milano.

Për momentin, asnjë nga drejtuesit nuk i ka komunikuar diçka në lidhje me largimin e tij dhe për sa kohë që kjo qëndron kështu, Bastoni thotë se ato që raportohen nëpër media nuk janë të vërteta. Ai vuri theksin tek fakti që ka edhe dy vite kontratë me zikaltërit dhe dëshira e tij është t’i shkojë deri në fund kësaj aventure. Nga ana tjetër, kartoni i tij vlerësohet në të paktën 60 milionë euro dhe tek Interi nuk kanë ndërmend të zbresin poshtë kësaj shifre nëse do të lejojnë largimin e 23-vjeçarit. Tottenham shihet si një nga skuadrat që po këmbëngul për afrimin e mbrojtësit italian, me trajnerin Conte që e sheh si profilin e duhur për skemën e tij me 3 në prapavijë. Aspekti financiar për klubin anglez nuk përbën problem dhe vetë Bastoni me gjasa do të ishte i gatshëm ta pranonte transferimin në ‘Premier League’, nëse Inter nuk e sheh më në planet e veta. Alessandro Bastoni u bë pjesë e klubit nga Milano në verën e vitit 2017, kur kartoni i tij u ble nga Atalanta për më shumë se 31 milionë euro. Ai luajti edhe një vit si i huazuar tek bergamaskët, e më pas tek Parma, derisa tek Interi vendosën që t’i jepnin një mundësi me skuadrën e parë.