Serie A në zi; Italia humbet një tjetër kampion; ndahet nga jeta Gianluca Vialli

Sport

Pas Pele e Sinisa Mihajlovic, bota e futbollit, e sidomos ai italian, humbet një tjetër kampion. Gianluca Vialli është ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare, pasi nuk fitoi dot betejën e vështirë me sëmundjen. Prej kohësh, Vialli ishte nën kujdesin e mjekëve në Londër, pranë familjarëve të tij, mirëpo situata me tumorin e pankreasit u përkeqësua edhe më shumë, duke bërë që Vialli të mbyllë sytë njëherë e përgjithmonë. Ai është një nga kampionët më të vlerësuar në futbollin italian. Sulmuesi luajti me skuadra si Cremonese, Sampdoria, Juventus e Chelsea, ndërsa në vitet e fundit ishte pjesëtar i rëndësishëm i stafit të Roberto Mancini-t tek kombëtarja italiane, derisa problemet shëndetsore e detyruan të tërhiqej. Pas një periudhe të qetë me kura të vazhdueshme, problemet në pankreas u rikthyen, këtë herë duke dalë mbi 58-vjeçarin. Gianluca Vialli fitoi kampionatit italian në dy raste: në sezonin 1990/1991 me Sampdorian dhe në 1994/1995 me Juventus. Me bardhezinjtë, ai do të fitonte një vit më vonë edhe trofeun e ‘UEFA Champions League’, ndërsa nuk munguan edhe trofe të tjerë si fitues i ‘Kupës’ dhe ‘Superkupës’ së Italisë, ‘Kupës’ së Anglisë apo ‘Superkupën’ e Europës me Chelsea-n. Në titullin e fituar me Sampdorian, ai ishte një nga protagonistët kryesorë, teksa e mbylli si golashënuesi më i mirë i atij sezoni, me 17 gola të realizuar. Kështu, Italia humbet një tjetër emër të rëndësishëm të historisë së saj, me kohën, që po tregohet e pamëshirshme me kampionët e ‘Serie A’.