Serie A, Inter, Skriniar e Dumfries mund të largohen; PSG dhe Chelsea kanë gati ofertat

Sport

PSG i është rikthyer edhe njëherë mundësisë së afrimit të Milan Skriniar. Mediat italiane raportojnë se kampionët e Francës kanë rinisur kontaktet me Interin sa i përket transferimit të mundshëm të mbrojtësit sllovak. PSG ishte shumë pranë një marrëveshjeje me klubin zikaltër javën e kaluar, por çdo gjë u ndal pasi objektivi Bremer, që supozohej të zëvendësonte Skriniar, u transferua tek Juventusi. Por drejtuesit e Interit janë të detyruar të bëjnë shitje të rëndësishme, sepse duhen gjeneruar sa më shpejt të ardhura tek financat e klubit. Me PSG, bisedimet janë përqëndruar tek shifra e 60 milionë eurove, ndonëse parizienët kërkojnë ta ulin këtë shifër, duke parë që Skriniar i ka mbetur edhe një vit kontratë me Interin. Italianët kanë nisur bisedimet edhe për një rinovim të mundshëm të kontratës me mbrojtësin sllovak, në rast se tratativat me PSG do dështojnë, duke mbajtur të konsoliduar prapavijën për trajnerin Simone Inzaghi.

Në prag largimi tek zikaltërit mund të jetë edhe Denzel Dumfries. Pas vetëm një sezoni në radhët e Interit, holandezi sheh të vijnë drejt tij oferta të rëndësishme. Chelsea thuhet se ka nisur kontaktet e para dhe ka kërkuar informacione nga drejtuesit e Interit rreth situatës së ish-lojtarit të PSV Eindhoven. Nga ajo që zbulojnë mediat italiane, kartoni i Dumfries vlerësohet në 40 milionë euro dhe pavarësisht se Chelsea ka financat e nevojshme për ta mbyllur një marrëveshje të tillë, ‘blutë’ do të provojnë të ulin çmimin, ose do të shqyrtojnë edhe mundësi të tjera të merkatos. Për londinezët ëshë e rëndësishme t’i garantojnë trajnerit Tuchel një anësor që mund të bëjë mirë në të dyja repartet dhe për momentin, emri i Dumfries mbetet i preferuari për ta.