Serie A, Milan ‘qan’ merkaton e verës; 50 milionë euro të shpënzuara dhe asnjë protagonist

Sport

Milani ka një distancë prej 7 pikësh ndaj Napolit kryesues, në përpjekjen e kuqezinjve për të mbrojtur titullin kampion. Edhe këtë sezon, skuadra e Piolit ka vuajtur mungesa të rëndësishme dhe në këtë situatë, të gjithë shohin nga merkatoja. Por përpara se të konkretizohet ndonjë lëvizje në merkaton e janarit, analiza që i bëhet lojtarëve të afruar në verë, tregon se tekniku 57-vjeçar nuk ka marrë asnjë përforcim të denjë.

Charles De Ketelaere ishte emri më i rëndësishëm i afruar tek kampionët e Italisë, me një vlerë prej 35 milionë eurosh që u shpenzuan për të marrë kartonin e tij. Belgu ende nuk ka treguar asgjë nga klasi dhe talenti që supozohet se mbart, ndonëse Pioli vijon të kërkojë durim. Maldini, Massara dhe të gjithë tifozët e Milanit, shpresojnë që situata e De Ketelaere të jetë e ngjashme me atë të Rafael Leaos apo Sandro Tonalit, që kërkuan të paktën 1 vit, përpara se të luanin në nivelin ku janë sot.

Sergino Dest erdhi në formë huazimi me të drejtë blerjeje për 20 milionë euro. Por deri më tani, gjasat që Milani të firmosë për transferimin e plotë të anësorit janë shumë të vogla. Dest mendohej të ishte një ndihmë e madhe për krahun e djathtë, ku mund të kishte alternativa për Calabria e Saelemaekers. Por në 380 minuta të luajtura, Dest ka dhënë shumë pak.

Një kontratë që peshon në radhët e klubit është ajo e Divock Origi. Sulmuesi u transferua me parametra zero nga Liverpool-i, por ka një kontratë 4-vjeçare, nga ku përfiton 4 milionë euro në sezon. 502 minuta të luajtua mes ‘Serie A’ dhe ‘Champions League’, por vetëm 1 gol i shënuar. Për më tepër, 27-vjeçari është ndalur më shpesh se kushdo nga dëmtimet, çfarë nuk e ka lejuar të bëjë detyrat e tij si alternativa e Giroud.

Zhgënjim mund të konsiderohet edhe Yacine Adli. Për kartonin e tij u shpenzuan 10 milionë euro një vit më parë, por huazimi tek Bordeaux nuk duket ta ketë maturuar aq sa duhet. Vetëm një ndeshje si titullar në ‘Serie A’, për një paraqitje që nuk bindi as Piolin dhe askënd në botën kuqezi. Të vetmet nota pozitive nga merkato e verës mund të konsiderohen Malick Thiaë, Aster Vranckx dhe Tommaso Pobega. Ndonëse nuk kanë bërë paraqitje për t’u vënë në kornizë, të rinjtë kanë dhënë sinjale se mund të bëhen liderë me pak eksperiencë, por kjo nuk e garanton qëndrimin e tyre tek Milani edhe për sezonin e ardhshëm.