Serie A, Napoli, Kvaratskhelia është pranë rinovimit të kontratës

Sport

E ardhmja e Khvicha Kvaratskhelia do të vijojë të jetë tek Napoli. Sulmuesi gjeorgjian raportohet të jetë shumë pranë rinovimit të kontratës së tij me kampionët e Italisë, diçka që ka qenë një mision i deklaruar i presidentit De Laurentiis gjatë kësaj vere. ‘Benjaminit’ të tifozerisë së kaltër do t’i  përmirësohet ndjeshëm paga, teksa në kontratën e re thuhet se do të përfshihet edhe një klauzolë për largimin e mundshëm të tij. Nga ajo që kanë mësuar mediat italiane, Kvara aktualisht fiton 1,4 milionë euro si pagë nga Napoli dhe me marrëveshjen e re, gjeorgjiani do të arrijë të arkëtojë deri në 3 milionë euro në vit. Po ashtu, do të ketë edhe një zgjatje të akordit me një vit, në krahasim me kontratën fillestare. Pra, 22-vjeçari supozohet të jetë pjesë e Napolit deri në vitin 2028, ndërkohë që në favor të tij janë programuar edhe shpërblime të tjera në formë bonusesh, në rast se arrihen disa objektiva. Sapo të hedhë firmën mbi kontratën e re, anësori do të ketë një pagë të denjë për t’u krahasuar me lojtarët e tjerë të rëndësishëm të skuadrës, me Osimhen që mund të shndërrohet në lojtarin më të paguar të kampionëve të Italisë, nëse edhe nigeriani do të pranojë rinovimin. Sa i përket klauzolës së largimit, për momentin nuk ka asnjë informacion, por presidenti i Napolit, Aurelio De Laurentiis është ndjerë i kërcënuar nga presioni i vazhdueshëm i Neëcastle, me klubin anglez që ka shfaqur interes konkret për të firmosur me Kvaratskhelia-n. Me rinovimin e kontratës së lojtarit, Napoli u ka dhënë një mesazh të qartë skuadrave të tjera, që mendojnë të transferojnë sulmuesin gjeorgjian se një gjë e tillë, nuk ka për të qenë aspak një mision i lehtë. Kvara ishte një nga elementët më të rëndësishëm të suksesit të Napolit në ‘Serie A’ gjatë edicionit të kaluar, me anësorin që kontribuoi me 12 gola e 13 asiste në 34 ndeshje të luajtura në elitën e futbollit italian. Ai u transferua tek Napoli vetëm verën e kaluar, kur për të transferuar kartonin e tij nga Dinamo Batumi, u shpenzuan rreth 11,5 milionë euro.