Serie A, Roma, Zaniolo kërkon paqe me klubin

Sport

Nicolo Zaniolo mbetet emri më i përfolur tek skuadra e Romës. Sulmuesi kërkoi me ngulm largimin nga verdhekuqtë dhe pavarësisht disa ofertave, transferimi i tij diku tjetër nuk u bë realitet. Drejtuesit e kanë paralajmëruar se do ta ndëshkojnë duke mos e grumbulluar më me skuadrën dhe kjo gjë mund t’i hapë jo pak probleme 23-vjeçarit. Zaniolo ka shkruar një letër në drejtim të klubit të Romës dhe tifozëve kryeqytetas, duke u shprehur se në media ka dëgjuar shumë gjëra të pavërteta, të cilat ai do t’i sqarojë në një moment tjetër. Zaniolo shtoi se është ndjerë gjithnjë krenar që është pjesë e Romës dhe gjithmonë është përpjekur të japë më të mirën e tij në fushën e lojës, për të nderuar fanellën që mban veshur. 23-vjeçari thotë se Roma i ka dhënë besim edhe në momentet e tij më të vështira, prandaj ai ka tentuar të shpërblejë të gjithë këtë mbështetje. Sa i përket çështjes së largimit, Zaniolo shpjegoi vetëm se e ardhmja e tij si profesionist nuk varet vetëm prej tij, por edhe nga shumë faktorë të tjerë.

Në lidhje me këtë letër të Zaniolos është pyetur edhe drejtori i Romës, Tiago Pinto, i cili nuk ka kërkuar të japë shumë detaje. Pinto u shpreh vetëm se mes drejtuesve të skuadrës dhe sulmuesit do të ketë kontakte e bisedime, por ky nuk është momenti i duhur për ta bërë diçka të tillë. Roma pranoi ofertën e Bournemouth gjatë janarit për Zaniolon, që konsistonte në një propozim prej 30 milionë eurosh për kartonin e 23-vjeçarit. Vetë lojtari e refuzoi këtë kalim, duke pretenduar një transferim tek Milani ose Tottenham, por që të dyja këto skuadra, nuk i plotësonin kërkesat financiare të kryeqytetasve.