Serie A, Zaniolo gati të transferohet tek Tottenham, por Roma kërkon shitje përfundimtare

Sport

Nicolo Zaniolo është pranë largimit nga Roma. Mediat italiane kanë zbuluar se sulmuesi është i gatshëm të pranojë propozimin e Tottenham për të zhvendosur karrierën e tij në Angli, me klubin londinez që prej kohësh e ndjek situatën e 23-vjeçarit. Zaniolo mesa duket intrigohet nga kalimi i mundshëm tek Tottenham dhe ka dhënë ‘dritën jeshile’ nga ana e tij që ky transferim të bëhet realitet. Megjithatë, pavarësisht bisedimeve të shpeshta mes klubeve, ende nuk ka një marrëveshje. Kjo, për shkak të formulës që kërkon të përdorë skuadra e Tottenham, por edhe për vlerësimin e kartonit të sulmuesit. Londinezët kanë propozuar huazimin me detyrim blerje për 20 milionë euro, nëse plotësohen disa kushte të vështira, siç është kualifikimi i Tottenham në ‘Champions League’ për sezonin e ardhshëm. Roma nga ana tjetër, kërkon një shitje përfundimtarë të kartonit të Zaniolos, ose një huazim me detyrim blerje, por me kushte më të lehta, ndërkohë që shifra që duan italianët për sulmuesit shkon nga 35 në 40 milionë euro.

Por tek Tottenham vështirë se mund të paguajnë kaq shumë. Zaniolo tashmë e ka shprehur hapur dëshirën për t’u larguar tek drejtuesit e Romës dhe ata të ‘Spurs’-ave po e shfrytëzojnë këtë fakt. Për më tepër, Zaniolos i mbetet vetëm 1 vit e gjysmë kontratë në kryeqytetin italian dhe shanset për rinovimin janë zero. Ndërkohë që Roma, po shfrytëzon faktin që për kartonin e Zaiolos mund të hapë një ankand, pasi veç Tottenham, për shërbimet e tij janë interesuar edhe klube të tjera angleze si West Ham, Leicester dhe Newcastle.