Hazard ‘përulet’ përpara Messit, e cilëson argjentinasin si më të mirin

Sport

Me ardhjen e Eden Hazard tek Real Madrid, tashmë edhe tifozët e ‘los blancos’ kanë armën e tyre në përballjet kundër Barcelonës dhe Leo Messit. Megjithatë Hazard kërkon të largojë këto krahasime, duke thënë se pavarësisht ngjashmërive që ai ka me numrin 10 të katalanasve, diferencat mes tyre mbeten të mëdha. Belgu u shpreh se për të, Messi është një lojtar unik, i pakrahasueshëm me askënd dhe absolutisht numri 1 në botë.

“Është e vërtetë se kemi disa ngjashmëri, por nuk ka vend për krahasime. Jemi të dy trupvegjël dhe të shpejtë…, por ai shënon në të gjitha ndeshjet. Unë nuk e bëj dot këtë gjë. Unë nuk mund të krahasohem me të pakrahasueshmin”.

Kjo nuk është hera e parë që Eden Hazard shpreh admirimin e tij për Lionel Messsin. Disa muaj më parë, lojtari i ri i Real Madrid u pyet rreth betejës Ronaldo-Messi dhe Hazard në atë kohë qe shprehur se nuk mund të ketë dy numra 1. Edhe atëherë, belgu thoshte se Messi ishte i paarritshëm nga askush, një lojtar i veçantë që vështirë se mund ta shohim sërish. Sa i përket aventurës që do të nisë tek Reali, Hazard tha se pas angazhimit me kombëtaren belge, do të marrë pushimet në mënyrë që t’i japë kohën e duhur edhe familjes së tij, përpara se të nisë një tjetër hap të madh të karrierës së tij, çfarë gjithashtu përmbushi edhe një ëndërr të madhe të 28-vjeçarit.