Spanjë, Iniesta tërhiqet nga përfaqësuesja

Sport

iniesssta

“Ishte dita më e trishtë e karrierës sime” kështu e ka përshkruar eliminimin përballë Rusisë Andres Iniesta, i cili i ka dhënë fund përvojës së tij me kombëtaren duke deklaruar tërheqjen. Autori i golit të fitores në finalen e Afrikë e Jugut 2010-të, ishte më i përloturi pasi Spanja nuk mundi të çajë dot mbrojtjen e Rusisë në 1/8-at e këtij botërori. Në Luzhniki të Moskës, 34-vjecari luajti ndeshjen e 131-të me La Rojan. “Eshtë e vërtetë, ishte ndeshja ime e fundit me kombëtaren. Shpesh fundet nuk janë të lumtura dhe mua më qëlloi me ditën më të trishtë të karrierës sime” – tha Andres Iniesta, i cili në fund të sezonit të kaluar u largua edhe nga Barcelona. Në maj ai i dha fund një lidhje prej 22 vitesh me fanellën katalane duke kaluar te japonezët e Vissel Kobe.

andres in

Fitues i 32 trofeve në Spanjë, Iniesta luajti më shumë se 670 ndeshjedhe ngjyrat katalane i mbajti veshur që 12-vjec. Duke folur për të, trajneri i Spanjës, Fernando Hierro, njëherësh një ish-kapiten i Realit, tha se Iniesta është një nga lojtarët më të mëdhenj të historisë së futbollit spanjoll. “Mënyra se si luajti në fushë dhe se si u ndje kur u zëvendësua, ishte fiks sikur po luante në kupën e tij të parë, dua ta falenderoj përzemërsisht për atë që ka dhënë për ne” – tha Hierro. Shtypi i kushtoi një vëmendje të vecantë këtij largimi të Iniestas, një lojtar i cili është duartrokitur në të gjitha stadiumet kundërshtare, madje edhe në Shqipëri kur Spanja përballej me përfaqësuesen kuqezi.