Spanjë, Reali i Madridit transferon Alissonin e Romës për 70 milionë euro

Sport

alisson
Reali i Madridit nuk ndalet. Pasi zyrtarizoi angazhimin e trajnerit Lopetegui, klubi 13 herë kampion i Evropës thuhet se është pranë transferimit të portierit brazilian Alisson Becker. Sipas raportimeve në Spanjë, gardiani i portës së Romës mund të lëvizë nga Serie-A vetëm nëse klubit i përmbushen kërkesat ekonomike. Gazzetta dello Sport thekson se vlera e fiksuar është 70 milionë euro dhe se bisedimet kanë ecur pozitivisht. Gazeta spanjolle AS theksoi nga ana e saj se tashmë palët janë në përmbyllje të bisedimeve dhe klubi verdhekuq mund t’i gëzojë milionët e kërkuar plus të tjera bonuse të premtuara.

alisson2

Kjo lëvizje vjen pak javë pasi Liverpooli u shfaq gjithashtu e interesuar për shërbimet e 25-vjecarit brazilian. Alisson Becker shkëlqeu këtë sezon duke u shfaqur i pakalueshëm në pjesën më të madhe të ndeshjeve në Champions League, sidomos në shtëpi atje ku deri në gjysmë-finale, Roma nuk kishte pësuar asnjë gol. Në Spanjë theksojnë se portieri i përfaqësueses i ka kërkuar agjentit të tij që ta përmbyllë lëvizjen përpara se Brazili të shkelmojë topin e parë në këtë botëror, pra përpara ditës së dielë. Dy vite më parë, Roma e transferoi 25-vjecarin për vetëm 8 milionë euro, ndërsa tani e lë të largohet me një vlerë afërsisht sa 10-fishin. Monchi tanimë duhet të gjejë një zëvendësues pasi skuadra ka vetëm 1 portier, polakun Skorupski.