Tjetër lojtar me prejardhje shqiptare në Superligën turke

Sport

Vijon të shtohet numri i lojtarëve me prejardhje shqiptare në Superligën turke. Më i freskëti është Donis Avdijaj, i cili ka firmosur dhe është prezantuar si futbollist i ri i Trabzonspor. Ylli i Kombëtares kosovare ka nënshkruar një kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi edhe për 3 vite të tjerë, në varësi të paraqitjeve të tij.
Lajmi është konfirmuar nga faqja zyrtare e klubit turk që edhe e ka prezantuar yllin kosovar, i cili ka deklaruar edhe fjalët e para pas nënshkrimit. 22-vjeçari, i cili ka luajtur 6 ndeshje duke shënuar 2 gola me Kosovën, u shpreh se zgjodhi Trabzonsporin për shkak se janë klub që besojnë në futbollistët e rinj. “Jam shumë i lumtur që kam ardhur te një klub me tifozë madhështorë si Trabzonsport ku mund të tregoj aftësitë e mia. Erdha këtu për të kënaqur këta tifozë të çmendur. E njoh mirë cilësinë e skuadrës, që është e përbërë kryesisht nga lojtarë të rinj, të cilëve u është dhënë një mundësi e madhe. Falënderoj Zotin, pastaj familjen dhe miqtë e mi, për këtë transferim”, ishin fjalët e Avdiajt, që vjen në Turqi pasi më parë ka luajtur me Schalke 04, Sturm Graz, Roda JC dhe ëillem II.


Ai kishte më shumë se gjashtë muaj që ishte futbollist i lirë, pas prishjes së kontratës me holandezët, ndërsa tani me ekipin e ri synon të rikthehet në formën e tij të vjetër. Duke dashur të harrojë mbi të gjitha problemet jashtë fushës. Gjithashtu, mediat turke kanë zbuluar edhe pagën futbollistit kosovar. 22-vjeçari në vitin e tij të parë me Trabzonspor do të paguhet 22 mijë euro në muaj, ose 274 mijë euro në vit. Kurse më tej paga e tij do të vijë në rritje, për të mbërritur deri në 500 mijë euro në vit. Në total, nëse do të arrijë të fitojë besimin e drejtuesve për të qendruar 4 vjet, kosovari do të përfitojë rreth 2 milionë euro, përfshi edhe bonuset e përfshira në kontratë.