U votua si lojtari i sezonit në Bundesligë, Christopher Nkunku shuan dyshimet mbi të ardhmen

Sport

Christopher Nkunku rinovon kontratën deri në vitin 2026 me Leipzig. Në sezonin 2021/22, sulmuesi pati një sukses të jashtëzakonshëm në nivelin personal, duke shënuar shënuar 35 gola, e po ashtu kontribuoi me 19 asist në 50 ndeshje të luajtura në të gjitha kompeticionet. Numra këto, që në fund u kurorëzuan edhe me trofeun e Kupës së Gjermanisë. Jo vetëm kaq, por në përfundim të edicionit, Nkunku u votua edhe si lojtari më i mirë i sesonit 2021/22 në Bundesligë.

Këto detaje, zgjuan vëmendjen e disa prej klubeve më me peshë të kontinentit, përfshirë këtu Manchester United dhe Chelsea, të cilat u interesuan për të marrë shërbimet e tij. Megjithatë, aludimet dhe shpresat zgjatën shumë pak, sepse francezi vendosi të rinovonte me Leipzig, klub, në të  cilin bën pjesë që prej vitit 2019-të.

“Jam shumë i lumtur që do vazhdoj të vesh fanellën e Leipzig. Pas suksesit në Kupë, është mëse e qartë se historia ime këtu ende nuk ka përfunduar. Mbeta me të vërtetë I befasuar me këmbënguljen që klubi donte të më mbante. Duam të arrijmë më të tjera suksese të bashku dhe për këtë arsye, i falenderoj të gjithë për besimin e treguar”, është shprehur ndër të tjera sulmuesi.

Megjithatë, me rinovimin e kontratës, nuk do të thotë që Nkunku tanimë mbetet jashtë vëmendjes. Padyshim që duke nisur nga viti I ardhshëm futbollistik, interesi ndaj 24 vjeçarit, do vazhdojë të mbetet tepër i lartë.