UCL, Messi mposht Chelsea dhe dërgon Barcelonën në çerekfinale

Sport

lionel mesi
Lionel Messi ka rrëmbyer edhe njëherë vëmendjen e të gjithë tifozëve të Champions League, falë performancës së shkëlqyer në ndeshjen kundër Chelsea në “Camp Nou”, ku Barcelona siguroi kualifikimin me rezultatin e pastër 3-0. Thibaut Courtois nuk ishte në mbrëmjen e tij më të mirë, pasi e pa topin t’i kalonte mes këmbëve vetëm pas 3 minutash lojë, me autor Messin. Portieri i “bluve” do të ndëshkohej sërish në minutën e 20, kur Messi do të nxirrte jashtë lojë mbrojtjen e Chelseat me pasimin e dhënë për Dembele, që çoi shifrat në 2-0.

barca

 

Në pjesën e dytë, londinezët do te ishin më kërkues, por do të dështonin të finalizonin në portën e katalanasve. Messi do t’i kujtonte edhe njëherë Courtois golin e parë, pasi e shënoi të tretën sërish mes këmbëve të portierit belg. Barcelona në këtë mënyrë shuan dyshimet sa i përket kandidaturës për fitimin e trofeut aq shumë të lakmuar nga klubet europiane, pavarësisht se përballë kishin skuadrën që vinte si kampione në fuqi e Anglisë, por që zhgënjeu pritshmëritë e të gjithëve.