UEFA e pakënaqur me federatën italiane; kërkohej një dënim shembullor ndaj Juventus

Sport

Skuadra e Juventus-it ka humbur vendin në ‘UEFA Champions League’ për sezonin e ardhshëm, pas dënimit me 10 pikë që mori për falsifikimin e bilanceve dhe transferimet e dyshimta të lojtarëve. Për bardhezinjtë me gjasa do të ketë një sezon pa kompeticione europiane gjatë 2023/2024-ës, për arsye se gjatë muajit qershor pritet edhe një ndëshkim nga ana e UEFA-s, që përflitet se do të jetë përjashtimi nga çdo kompeticion i tyre për të paktën 1 sezon. Në finalen e ‘Europa League’-ës, e luajtur në Budapest, numri 1 i futbollit europian, Aleksander Ceferin ka patur mundësi të takohet me presidentin e federatës italiane të futbollit, Gabriele Gravina, ndaj të cilit thuhet se është shfaqur hapur pakënaqësia e ‘UEFA’-s rreth dënimit ‘të butë’ sipas tyre për çështjen ‘Juventus’. Ceferin e ka bërë të qartë tek Gravina dhe drejtues të tjerë të federatës italiane se në lidhje me këtë situatë, ‘UEFA’ priste një qëndrim më të ashpër nga ana e drejtësisë sportive në Itali se sa penaliteti me zbritjen e 10 pikëve në renditje për klubin torinez. Kështu, gjykata sportive europiane, në Nion të Zvicrës, ka nisur procedurat për të marrë një vendim final për Juventus-in, teksa vetëm pak ditë më parë, drejtuesë e ish-drejtuesë të klubit kanë dhënë rrëfimin e tyre për gjithçka që akuzohen bardhezinjtë. Sipas asaj që zbulojnë mediat europiane, ‘UEFA’ mund të përjashtojë me 1 vit Juventus-in nga ‘Champions League’. Kjo do të thotë se dënimi do të hyjë në fuqi ndaj bardhezinjve vetëm në momentin që ata do të sigurojnë një vend mes katër më të mirëve në ‘Serie A’ sezonin e ardhshëm, që do të përkthehej në një pjesëmarrje në ‘Champions’ për sezonin 2024/2025. Nuk përjashtohet mundësia që edhe vitin e ardhshëm, Juventus të mos luajë në kompeticionet e tjera europiane, teksa renditja para javës së fundit, i dërgon bardhezinjtë në ‘Conference League’.