Warriors në finalen e madhe te NBA

Sport

Golden State Warriros shkon në finalen e madhe të NBA. Skuadra nga Oakland fiton konferencën e Perëndimit duke mposhtur me shifrat e përgjithshme 4-1 Dallas Mavericks. Sfida e 5-të e finaleve të perëndimit e zhvilluar në “Chase Center” u mbyll me triumfin e Warriors  120-110.  Një arritje madhështore për Golden State që shkon në finalet e mëdha të NBA për herë të 6-të në 8 sezonet e fundit, dhe ajo që të impresionon nuk është fakti që mbërrin sërish në kulmin e betejës për trofeun, por forca që ky klub gjeti për tu ringritur pas largimit të Durant dhe dëmtimeve të njëpasnjëshme të Klay Thompson, dicka që ndikoi dy edicionet e fundit në NBA për ta, ku në periudhën post-Durant fillimisht nuk kapën as “play-offin” , madje e mbyllën të fundit në perëndim më vetëm 15 fitore, e më pas u eliminuan në “Play-In” pa mbërritur fare në fazën “Play-Off”.

Rikthimi i Thompson pati ndikimin e vet, por mbi të gjitha rikthimi në nivele të larta i lojtarit që u shpall më i miri i fazës “Play-off” në perëndim, Stephen Curry. Meritë absolute edhe për trajnerin Steve Kerr që i dha vlerë të madhe Andreë Wigginsit, i  cili dukej gjithnjë si një talent i pashpërthyer, po ashtu erdhi rritja e ndjeshme e Jordan Poole e Kevin Looney, pa harruar përvojën e madhe të Draymond Green.

Në sfidën që vulosi fitoren e konferencës së perëndimit ai që spikati më së shumti ishte Klay Thompson me 8 realizime për tre dhe me 32 pikë të shënuara gjithsej , 17 pikë për Green e 15 për Curry, teksa kontribuoi ndjeshëm edhe Looney me plot 18 topa të kapur në tabelë, 7 prej të cilëve në sulm. Meriton lëndata edhe Dallasi që erdhi aty ku pak e parashikonin. Ekipi i Jason Kidd u udhëhoq nga një super Luca Doncic i cili në sfidën e fundit realizoi 28 pikë, finalet e konferencës mund të jenë një bazë e rëndësishme për të ardhmen e teksanëve. Ndërkohë Golden State do të nisë gjuetin për titulin e 7-të kampion në histori.