25 raste të reja me Covid-19; shërohen të gjithë të infektuarit në Berat, Lezhë, Mirditë, Rrogozhinë dhe Tropojë

Aktualitet Botë/Rajon

Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 25 raste të reja me COVID-19, duke e çuar në 634 numrin total të të prekurve në vendin tonë. Zv/ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli në daljen e përditshme për mediat bëri me dije se vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në Krujë ku kanë rezultuar 18 raste pozitive, ndërsa rastet e tjera janë 3 në Tiranë, 2 raste në Elbasan, 1 rast në Shkodër, 1 rast në Kurbin.

“Deri në këto momente janë testuar 6269 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 634 raste. Në 24 orët e fundit ka ndërruar jetë një pacient 71-vjeçar në spitalin “Shefqet Ndroqi” i cili ishte prej dy javësh i intubuar dhe vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese si (diabetik, kardiopat, ç’rregullime të ritmit kardiak dhe fibrilacion atrial). Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 71-vjeçari nuk ka mundur të mbijetojë duke e çuar numrin e qytetarëve që kanë humbur betejën me këtë sëmundje në 27.

Gjatë 24 orëve të fundit, 11 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 356. Rezulton se Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë zona ku të gjithë të prekurit deri tani, janë aktualisht të shëruar. Aktualisht në vendin tonë janë 251 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet numri i të shëruarve është më i lartë. Kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave. Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 33 të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 7 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive, në gjendje të rënduar”, tha znj. Rakacolli. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 40 pacientë. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në, Krujë, Tiranë, Elbasan, Shkodër, Kurbin.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë            256 raste

– Durrës            42 raste

– Lushnje          6 raste

– Elbasan          18 raste

– Fier                 36 raste

– Kavajë            9 raste

– Rrogozhinë     4 raste

– Korçë             19 raste

– Vlorë              5 raste

– Shkodër          100 raste

– Lezhë             14 raste

– Berat              2 raste

– Has                13 raste

– Krujë              58 raste

-Tropojë           4 raste

– Pukë               5 raste

– Mirditë           3 raste

– Kukës           11 rast

-Mallakastër     1 raste

– Kurbin            28 raste

“Pavarësisht luhatjeve në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është njëlloj e kontrolluar.

Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme.

Në kushtet e lirimit të disa masave, në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është shumë e rëndësishme të zbatohen me përpikëri të gjitha udhëzimet e autoriteteve shëndetësore, sidomos distancimi fizik në rrugë, dyqane, ambiente punë dhe në mjetet e transportit për ata që i përdorin për të arritur në vendet e punës.

Këto masa duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye”, tha zv.ministrja.