Çfarë po ndodh në Afganistan?

Aktualitet Botë/Rajon

Talebanët morën pushtetin duke përparuar në mënyrë të jashtëzakonshme në Afganistan. Talebani, që i referohen vetes si Emirati Islamik i Afganistanit, është një lëvizje islamike Deobandi dhe organizatë ushtarake në Afganistan, e cila aktualisht po zhvillon luftë brenda vendit.

Talebanët kanë deklaruar se lufta në Afganistan ka mbaruar pasi morën kontrollin e pallatit presidencial në Kabul, ndërkohë që forcat e udhëhequra nga SHBA u larguan dhe vendet perëndimore u përpoqën të evakuonin qytetarët e tyre.

Zëdhënësi Mohammad Naeem tha në intervistat për Al Jazeera TV se talebanët nuk donin të jetonin të izoluar. Ai tha se grupi respektonte të drejtat e grave dhe pakicave dhe lirinë e shprehjes brenda ligjit të sheriatit.

Naeem tha se talebanët donin të kishin marrëdhënie paqësore me vendet e huaja. “Ne i kërkojmë të gjitha vendeve dhe njësive të ulen me ne për të zgjidhur çdo çështje,” tha ai.

Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga vendi hapi rrugën për talebanët për të marrë pushtetin dhe mposhtur forcat afgane të sigurisë. Shumë qytete të mëdha ranë me pak ose aspak rezistencë, përfshirë qytetin kryesor të Jalalabad, të cilin talebanët e pushtuan të dielën.

Suhail Shaheen, një zëdhënës dhe negociator i talebanëve, tha për Associated Press të dielën se militantët do të zhvillojnë bisedime në ditët e ardhshme që synojnë krijimin e një “qeverie të hapur, gjithëpërfshirëse islamike”.

Por shumë afganë kanë frikë se talebanët do të kthehen në praktikat e ashpra të së kaluarës në imponimin e sheriatit, ose ligjit fetar islam. Gjatë sundimit të tyre 1996-2001, gratë nuk mund të punonin dhe u zbatuan dënime të tilla si vrasja me gurë, fshikullimi dhe varja. Vendi tani mund të përballet me kthimin e talebanëve në pushtet, pushtet që nëse është i ngjashëm me atë të viteve 1990, do të nënkuptonte një përkeqësim të lirive civile, veçanërisht për gratë dhe vajzat, liritë e të cilave u rritën këto 20 vjet.

Të dielën aeroporti u mbush me mijëra njerëz të dëshpëruar për të shpëtuar. Qindra afganë prisnin fluturimet, disa tërhiqnin bagazhet nëpër pista në errësirë, ndërsa gratë dhe fëmijët flinin pranë korridoreve të sigurisë.

Massouma Tajik, një analiste të dhënash 22-vjeçare ishte në mesin e qindra afganëve që prisnin me ankth në aeroportin e Kabulit për të hipur në një fluturim evakuimi. “Unë shoh njerëz duke qarë, ata nuk janë të sigurt nëse fluturimi i tyre do të ndodhë apo jo. As unë,” tha ajo.