Kryeministri Edi Rama: Situata dhe rregullat mund të ndryshojnë ja nga se varet çdo gjë

Aktualitet Botë/Rajon

Për shkak të shifrave të larta në ditët e fundit të përhapjes së Covid-19 Kryeministri Edi Rama ka folur sot për këtë dhe për mutacionet e virusit, nëse janë shfaqur apo jo në vendin tonë:

“Kur kemi sinjale të arsyeshme mbi hyrjen në Shqipëri të varianteve të reja të virusit, kur po rritet infektimi i moshave më të reja dhe faktikisht po ulet edhe mesatarja e moshës së të shtruarve në spitalet Covid, natyrisht që ne jemi shumë të motivuar që të bëjmë gjithçka si duhet në mënyrë që mos të detyrohemi të kthehemi tek masat e forta kufizuese, por për këtë duhet motivim i gjithsecilit. Ky është një moment për një përgjegjësi maksimale qytetare. Sepse ajo që po konsiderohet kudo si një tjetër valë infektimesh dhe që u vu re edhe në numrat që u rritën në mënyrë dramatike pak kohë më parë në vendet e Evropës po reflektohet tani edhe këtu.”

Më tej shton:

“Natyrisht që masat që janë në fuqi janë masa të cilat në këndvështrimin e ekspertëve funksionojnë, por që të funksionojnë ashtu siç duhet duhen zbatuar ashtu siç duhet. Nga ana tjetër qasja e autoriteteve të shëndetësisë dhe në tërësi autoriteteve që në tërësi janë përgjegjëse për zbatimin e masave ka qenë një qasje më shumë sensibilizuese dhe mirëkuptuese sesa represive. Mirëpo mesa duket nga çfarë konstatohet prej autoriteteve të shëndetësisë që janë në terren, në javët e fundit vihet re rënie e angazhimit të qytetarëve duke filluar nga vendosja e maskës kudo jashtë shtëpisë, duke vazhduar me zbatimin e rregullave të vendosura për njësitë tregtare dhe natyrisht pastaj edhe me ato eksese të patolerueshme në lokale të caktuara apo qoftë edhe nga politikanët dhe këtu me politikanët do ta bëj shumë të qartë që nuk kam parasysh vetëm ata që i përkasin partive të tjera, por edhe ata që janë pjesë e partisë që unë drejtoj të cilët shkelin rregullat duke u mbledhur nëpër salla e nëpër dhoma me më shumë sesa personat e përcaktuar si numër nga komiteti teknik. Është e papërgjegjshme dhe e pajustifikueshme sigurisht se të gjitha bashkë bëjnë pastaj në tërësi atë që nuk duket sot si një front i bashkuar përgjegjësish qytetarë individuale dhe komunitare në luftën kundër Covidit.

Në këtë moment ministria do japë detaje, nuk jemi të shqetësuar për stabilitetin e sistemit shëndetësor, por nëse nuk veprojmë tani nëse nuk reagojmë me përgjegjshmëri, nëse secili nuk bën tani detyrën atëherë situata rrezikon seriozisht të përkeqësohet, numri i infektimeve rrezikon seriozisht të rritet dhe patjetër edhe barra e ngarkesës mbi sistemin shëndetësor rrezikon të rëndohet në kushtet kur është e shmangshme. Jemi të gjithë të qartë që masat propozohen nga komiteti teknik, por nga ana tjetër ne që jemi këtu në radhë të parë në anën e qeverisë dhe ju në anën e mediave kemi detyrimin të bëjmë më shumë sesa të tjerët, sigurisht ne të parët që zbatimi i masave të jetë sa më korrekt.”