Amerikanët: Filmi “Shok” meriton çmimin “Oscar”

Kulturë

17-12-2015-9103409-12362874-10153447014582525-4879798930003011632-o.jpg

 

Një film që mund të jetë ndër më të mirët në mesin e filmave të shkurtër të nominuar nga “Academy Awards” e që do të duhej të kthehej në shtëpi me një trofe “Oscar”. Kritika amerikane konsideron se filmi “Shok” e meriton çmimin “Oscar”
Kësisoj e ka vlerësuar filmin “Shok” të Kosovës kritiku amerikan që ka emër në industrinë e kinematografisë. Në një artikull të publikuar në “Examiner.com” – versioni online i rrjetit të gazetave “The Journal” – kritiku Ty Bru e vlerëson filmin me regji e skenar të Jamie Donoughue të nominuar në kategorinë “Best Live Action Short Film”, si një prej filmave më real që ka parë deri më tani.

“Një prej filmave të shkurtër të nominuar nga ‘Academy Awards’ për edicionin e 88-të të ceremonisë “Oscars”’, me skenar dhe regji të Jamie Donoughue, ‘Shok’, mund të jetë më i miri në grup”, ka shkruar shkruan Bru, njëri prej emrave më të respektuar në mesin e kritikëve të filmit, themelues i kompanisë “Mightier Than the Sword Records, Photography and Literature”.

Ueb faqja në të cilën është publikuar artikulli është lansuar më 2008 dhe u shërben më shumë se 20 milionë lexuesve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe jashtë saj.Në pjesën e parë të kritikës me titull “I shkëlqyeshëm dhe i ndritshëm, filmi i shkurtër ‘Shok’ tregon sinqeritetin dhe ashpërsinë”, Bru e përshkruan rrëfimin e filmit “Shok”, që bëri histori duke u bërë i pari film nga Kosova që nominohet për çmimin më prestigjioz kinematografik.

“Pjesa më e madhe e rrëfimit të ‘Shok’ është zhvendosur në luftën e Kosovës (1998) duke përdorur narracionin e kthimit prapa të personazhit kryesor, Petritit, që në moshë të rritur luhet nga Kushtrim Sheremeti. Gjatë një udhëtimi me veturë që duket i zakonshëm, Petriti e sheh një biçikletë në mes të rrugës gjarpërore, që e detyron shoferin, kuptohet si mik, ta ndalojë veturën”, ka shkruar ai.