Masat për Coronavirus; Mbyllen shkollat dhe aktivitetet

Aktualitet Botë/Rajon

Ashtu siç u njoftua më herët, qeveria po mban mbledhjen e parë pas konfirmimit të dy rasteve të para të prekur nga koronavirusi në vendin tonë. Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se janë marrë të gjitha masat sipas udhëzimeve të OBSH-së dhe se është alokuar një fond shtesë për shëndetësinë prej 400 milionë lekësh.
Ndër të tjera, Rama njoftoi edhe mbylljen e të gjithë shkollave të vendit, aktiviteteve kulturore, sportive dhe fluturimet drejt zonave të kuqe, të paktën deri më 3 prill.

“Në këtë situatë, si në çdo situatë kur shoqëria dhe shteti përballen me një gjëndje jo të zakonshme, thelbësore është vetë-përmbajtja, ruajtja e qetësisë dhe ndjekja e një burimi të çertifikuar zyrtar, si dhe zbatimi në nivel individual i atyre orientimeve që burojnë nga nevoja për të kontribuuar për veten dhe për të tjerët. Ne kemi vendosur në dispozicion të situatës së emergjencës edhe financat përkatëse dhe edhe një fond tjetër prej 400 milionë lekësh, sipas kërkesave të Ministrisë së Shëndetësisë.

Është me shumë rëndësi të theksoj se kemi gjetur jo vetëm mirëkuptimin, por edhe angazhimin maksimal të personelit mjekësor dhe ajo që është për t’u vënë me nënvizim është se e gjithë struktura e personelit shëndetësor, që është parashikuar për t’u futur në dispozicion të kësaj përballjeje, është e mirëorganizuar, e mirë informuar dhe është e mirë angazhuar. Masat e sotme janë pezullimi i fluturimeve drejt veriut të Italisë dhe drejt zonave të kuqe, deri më 3 prill. Mbyllja e arsimit në të gjithë vendin. Është momenti të mbyllim të gjitha institucionet arsimore dhe të kërkojmë mbylljen e të gjtha aktivieteteve, dëgjesa publike, deri më 3 prill.”