Papa Françesku: “Iu luta Zotit të ndalonte epideminë. Mos i çoni dëm këto ditë”

Aktualitet Botë/Rajon

Nga Vatikani, Papa Françesku ka dhënë mesazhe shumë të rëndësishme për botën. Edhe pse të dielën, sheshi Shën Pjetër i Vatikanit ku mblidhen mijëra njerëz për të marrë pjesë në shërbesë ishte bosh, Papa i ka përcjellë fjalët e tij përmes një interviste për italianen ‘La Republica’. “Në këto ditë të vështira, rikthehuni te gjestet e vogla dhe konkrete ndaj njerëzve që kemi pranë, një përkëdhelje për gjyshërit, një puthje për fëmijet tanë dhe njerëzit që duam. Janë gjeste të rëndësishme, vendimtare”, u shpreh Shkëlqesia e Tij.

Disa ditë më parë Papa Françesku u pa në rrugët e kryeqytetit, Romës ku vizitoi kishat Santa Maria Maggiore dhe San Marcello al Corso.

“Iu luta Zotit që të ndalonte epideminë. Zot, ndaloje atë me dorën tënde! Zbuloni domethënien e gjërave të vogla, të vëmendjes që duhet të tregoni ndaj atyre që ju rrethojnë; familjes, miqve. Kuptoni se në gjëra të vogla ekziston thesari ynë. Mos i çoni dëm këto ditë. Ekzistojnë gjeste minimale, të cilat ndonjëherë humbasin në anonimatin e jetës së përditshme, gjestet e butësisë, dashurisë, dhembshurisë, të cilat sidoqoftë janë vendimtare, të rëndësishme.”